Havolli: Luftimi i krimit dhe korrupsioni, i pakalueshëm
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Shaip Havolli, ka thënë se viti 2018 do të jetë shumë sfidues sa i përket luftimit të krimit dhe korrupsionit.
Ai gjatë prezantimit të raportit vjetor të AKK-së për vitin 2017, ka thënë se luftimi i këtyre dukurive është i pakalueshëm.
“Kosova është renditur për 10 vende më mirë se sa vitin e kaluar. Megjithatë nuk jemi të kënaqur me këtë ngritje sepse situata në terren nuk është bash krejt ashtu. Kusht i pakalueshëm është luftimi i krimit dhe korrupsionit. Nuk do të merret aq lehtë ky liberalizim nëse nuk tregojmë angazhim të madh. Do të jetë ky viti sfidues në raport me kryerjen e këtij obligimi”, ka thënë Havolli.
Ai ka bërë me dije se gjatë vitit 2017, AKK-ja është marrë me 357 raste, ndërsa ka thënë se “procesi i deklarimit të pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë po ecën ngadalë”.
Sipas tij, numri total i zyrtarëve që obligohen ta deklarojnë pasurinë është 6242.
“886 zyrtarë i janë nënshtruar kontrollit të plotë, ndërsa në 11 raste është vërejtur ndryshim i madh dhe janë dërguar në institucionet relevante”, ka deklaruar Havolli.