Havolli: Trusti ka në menaxhim rreth 1.64 miliard euro

03 prill 2018 | 11:11

Kryetari i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Ymer Havolli, ka bërë me dije se numri i kontribuuesve aktivë në këtë fond po rritet. Ai ka treguar se Trusti ka në menaxhim rreth 1.64 miliard euro.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka folur edhe për sfidat me të cilat përballet ky institucion. “Më 28 shkurt të këtij viti numri i kontribuuesve aktivë ishte 234 878, ndërsa në të njëjtën datë të një viti më parë ky numër ishte 222 543. Megjithatë, duhet të kihet parasysh se në tremujorin e parë historikisht ka ndodhur që numri i kontribuuesve aktivë të jetë më i ulët sesa në tremujorët vijues. Kjo lidhet kryesisht me mënyrën e raportimit që punëdhënësit bëjnë në ATK”, ka thënë Havolli. Ai ka deklaruar se sfidë e vazhdueshme e Trustit është ruajtja dhe rritja e vlerës së kontributeve pensionale nën menaxhim.

Havolli ka treguar se deri më tani ky institucion ia ka dalë me sukses që të përballet me këtë sfidë pasi, sipas tij, vetëm nga viti 2009 e këtej është arritur që rreth 360 milionë euro bruto të kthehen nga investimet. “Sfida të tjera aktualisht Trusti nuk ka, pasi në operimet ditore asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë telash a pengesë të pamenaxhueshme. Ky institucion mbikëqyret rreptë nga Kuvendi i Kosovës, BQK-ja, Auditori i Jashtëm dhe ai i Brendshëm, dhe deri më tani nga këto mbikëqyrje nuk ka pasur gjetje që sinjalizojnë çfarëdo problemi të rënies ndesh me legjislacionin apo rregulloret në fuqi”, është shprehur Havolli.

Ai u është përgjigjur edhe kritikave të deputetëve për këtë institucion dhe  rekomandimeve që  Komisioni për  Buxhet dhe Financa i ka bërë në lidhje me pagat, shtesat dhe kompensimet e tjera të të punësuarve dhe anëtarëve të Bordit Drejtues të FKPK-së. “Ju njoftojmë se Bordi Drejtues ka formuar një komision ad-hoc i cili nga çdo aspekt, para së gjithash nga aspekti ligjor, strategjik e praktik, do t’i analizojë me kujdes mundësitë, përfitimet dhe pasojat e implementimit të rekomandimeve të Komisionit për Buxhet dhe Financa. Duhet të mos harrojmë e as anashkaluar se sa i përket aspektit profesional dhe ekspertizës brenda Trustit, flasin vetë rezultatet prej 400 milionë eurosh kthim pozitiv prej themelimit të institucionit”, është shprehur Havolli.

“Epoka e re”: Z. Havolli, sa është aktualisht shuma e mjeteve të cilat i menaxhon Trusti i Kursimeve Pensionale?

Havolli: Deri në fund të shkurtit të këtij viti Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) kishte nën menaxhim rreth 1.64 miliard euro.

 “Epoka e re”: Sa është numri i kontribuuesve aktivë nga janari deri më tani, dhe si është raporti me vitin e kaluar për këtë periudhë?

Havolli: Më 28 shkurt të këtij viti numri i kontribuuesve aktivë ishte 234 878, ndërsa në të njëjtën datë të një viti më parë ky numër ishte 222 543. Megjithatë, duhet të kihet parasysh se në tremujorin e parë historikisht ka ndodhur që numri i kontribuuesve aktivë të jetë më i ulët sesa në tremujorët vijues. Kjo lidhet kryesisht me mënyrën e raportimit që punëdhënësit bëjnë në ATK.

“Epoka e re”: Në Kuvendin e Kosovës ka pasur kritika dhe akuza të shumta se Bordi menaxhues i Trustit është joprofesional. Gjithashtu, ka pasur kritika edhe për paga dhe përfitime të shumta për anëtarët e bordeve. Ju si institucion, si qëndroni në këtë aspekt?

Havolli: Bordi Drejtues i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) ka pranuar shkresën e datës 14 mars 2018, me rekomandimet e Komisionit për Buxhet dhe Financa në lidhje me pagat, shtesat dhe kompensimet e tjera të të punësuarve dhe anëtarëve të Bordit Drejtues të FKPK-së. Ju njoftojmë se Bordi Drejtues ka formuar një komision ad-hoc i cili nga çdo aspekt, para së gjithash nga aspekti ligjor, strategjik e praktik, do t’i analizojë me kujdes mundësitë, përfitimet dhe pasojat e implementimit të rekomandimeve të Komisionit për Buxhet dhe Financa. Duhet mos harruar e as anashkaluar se sa i përket aspektit profesional dhe ekspertizës brenda Trustit flasin vetë rezultatet prej 400 milionë eurosh kthim pozitiv prej themelimit të institucionit.

“Epoka e re”: Cilat janë sfidat me të cilat përballet Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës?

Havolli: Sfidë e vazhdueshme e Trustit është ruajtja dhe rritja e vlerës së kontributeve pensionale nën menaxhim, që deri më tani e kemi dëshmuar se ia kemi dalë me sukses, pasi vetëm nga viti 2009 e këtej kemi arritur të kemi rreth 360 milionë euro kthim bruto nga investimet. Sfida të tjera aktualisht Trusti nuk ka, pasi në operimet ditore asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë telashe a pengesë të pamenaxhueshme. Ky institucion mbikëqyret rreptë nga Kuvendi i Kosovës, BQK-ja, Auditori i Jashtëm dhe ai i Brendshëm. Deri më tani nga këto mbikëqyrje nuk ka pasur gjetje që sinjalizojnë çfarëdo problemi të rënies ndesh me legjislacionin apo rregulloret në fuqi.

“Epoka e re”: A ka pasur fitim Trusti nga investimi i mjeteve jashtë vendit këtë viti? Nëse po, sa është kjo shumë?

Havolli: Fillimi i këtij viti është me oscilime të forta dhe vlera e lartë ku tregjet shkuan në fund të vitit 2017 është korrigjuar. Aktualisht jemi në terren negativ (diku -1.3 %) për këtë periudhë të vitit, por kjo nuk është shqetësuese pasi mundësia e rikuperimit dhe ngritjes është e mundshme. Lëvizje të tilla ka njohur në vazhdimësi Trusti, por në nivel viti prej 2009-s asnjëherë nuk e kemi mbyllur negativisht vitin financiar. Pavarësisht prej kësaj, Bordi është duke e ndjekur në baza ditore gjendjen dhe lëvizjen e tregjeve financiare dhe jemi duke marrë veprime (përmes rialokimit të mjeteve) që t’u përgjigjemi sfidave të mundshme që mund të paraqiten. Sinjalet, e përsëris, aktualisht nuk janë në nivel shqetësues, por po i trajtojmë me kujdes të shtuar. Ky vit, sipas parashikimeve, do të jetë më sfidues dhe më restriktiv për shkak të inflacionit në ShBA dhe normave të interesit që pritet të rriten.

“Epoka e re”: A ka pasur investime në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës? Nëse po, në çfarë shume?

Havolli: Po, në fletobligacionet e Kosovës kemi vazhduar t’i rrisim investimet. Në fund të vitit 2017 kishim rekord të investimeve në këtë instrument prej 95 milionë eurosh dhe, përveç tyre, kishim rekord edhe të depozitimit të mjeteve të Trustit në bankat që operojnë në Kosovë, me rreth 50 milionë euro. Pra, asnjëherë Trusti nuk ka pasur investime në Kosovë dhe shpresojmë se ky nivel të mund të rritet edhe më tej. Gjithsesi nuk guxojmë të harrojmë se Bordi Drejtues është mandatuar që të merret me ruajtjen dhe rritjen e vlerës së mjeteve nën menaxhim e jo për detyra të tjera, andaj vendimmarrja jonë rreth investimeve gjithnjë duhet të jetë e bazuar në parimet e përcaktuara në ligj.

“Epoka e re”: Sa është numri i kontributdhënësve që pritet të pensionohen deri në fund të 2018-s?

Havolli: Megjithëse kjo nuk është e mundur të parashikohet saktë, pasi ndikohet nga faktorë të ndryshëm, bazuar në ritmin historik të pensionimit, pritet që numri i të pensionuarve të jetë diku mes 5 e 6 mijë.  Në anën tjetër, deri në fund të vitit 2017 nga Trusti kanë përfituar pension 38 512 qytetarë dhe shuma e tërhequr nga këta përfitues ka shkuar në 119.4 milionë euro.

(Albulena S. MAVRAJ)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Imer…