Haxha: Telekomi nuk duhet të privatizohet pas gjithë këtij degradimi

29 prill 2018 | 13:35

Ish-kryeshefi i Postës dhe Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka folur për situatën e krijuar në këtë kompani.

Ai ka thënë se Telekomi mund të shpëtojë nga falimentimi dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Haxha ka theksuar se Telekomi nuk duhet të privatizohet pas gjithë këtij degradimi që i është bërë.

“Kjo kompani duhet të ristrukturohet, të kthjellet, t’i ngrihet vlera, pastaj të shqyrtohen mundësitë e privatizimit”, ka thënë ai.

Haxha ka treguar se ka marrë shumë mesazhe që ai të rikthehet në krye të Telekomit. Thotë se hëpërhë nuk ka përgjigje të prerë nëse do të jetë kandidat për kryeshef të Telekomit.

“Në rast se i hyj garës nuk do të pranoj të bëhem vegël e askujt”, ka thënë Haxha, duke shtuar se dikujt është duke i penguar zhvillimi dhe rritja e PTK-së.

  “Epoka e re”: Z. Haxha, ju vazhdimisht, që kur e keni lënë Telekomin, keni qenë aktiv sa i përket kësaj kompanie, duke dhënë sugjerime se si duhet të ecet tutje. Madje keni paralajmëruar se kështu si po ecën, një ditë do të falimentojë Telekomi. Si e shihni sot këtë kompani? A mund të shpëtojë nga falimentimi?
Shyqyri Haxha: Që në ditët e fundit të punës sime në PTK, më 13 dhjetor 2011, kur e kam mbajtur konferencën e fundit për media rreth përmbylljes së punës sime të kryeshefit, kam ngrehur shqetësimin që të kenë kujdes me këtë kompani sepse mund ta shkatërrojnë. Kam thënë kështu sepse kam kaluar nëpër një periudhë pabesisht tepër të madhe për faktin se PTK-ja ishte minuar edhe atëherë. Pa dashur të hyj shumë në detaje, opinioni e di shumë mirë suksesin e arritur dhe ‘luftën’ dhe ‘goditjet’ nga grupet e interesit. Telekomi mund të shpëtojë nga falimentimi dhe për këtë nuk kam asnjë dyshim. Është një kompani e cila me një vullnet dhe përkrahje pozitive lehtë mund të ristrukturohet dhe t’i ngrihet vlera pa asnjë dyshim.

 “Epoka e re”: Cilët ishin faktorët që e sollën Telekomin në këtë gjendje? Një ndër arsyet është thënë se është edhe numri i madh i punëtorëve?
Shyqyri Haxha: Numri i madh i punëtorëve ka qenë edhe në kohën e menaxhimit tim, por me një punë dhe angazhim të stafit kemi arritur bilanc pozitiv dhe i kemi dhënë Qeverisë dividentë mbi 400 milionë euro. Natyrisht se, nëse kanë ndodhur ende punësime gjatë kohës kur kompania ka pasur bilanc negativ, sigurisht se kjo nuk do t’i ndihmojë kompanisë. Ngarkesat me staf dhe shpenzimet enorme në kohën kur kompania ka pasur rënie, janë shqetësuese.

 “Epoka e re”: Sot Telekomi ka shumë borxhe. Ju në një postim tuajin, në llogarinë tuaj në “Facebook”, keni thënë se keni mundësi, përvojë, kapacitet dhe guxim ta kthjellni këtë kompani. A do t’i hyni garës për kryeshef?
Shyqyri Haxha: Duhet hetuar se si janë krijuar këto borxhe. Dikush duhet ta marrë barrën e përgjegjësisë nëse ka krijuar borxhe që dëmtojnë kompaninë. Gjatë kohës sime jo që nuk janë krijuar borxhe, por i kemi mbledhur borxhet që ishin krijuar me vite nga menxhmentet e kaluara. Çdo borxh i krijuar me kujdes duhet të rishqyrtohet dhe, pas një analize të drejtë dhe profesionale, duhet të gjenden zgjidhjet që nuk e dëmtojnë afarizmin e kompanisë. Natyrisht, gjithmonë duke ruajtur edhe partneritetin me kompani profesionale që bashkëpunojnë me Telekomin në një ambient të shëndoshë biznesor. Mund t’ju them se kam marrë përkrahje nga njerëz që ia dinë vlerën shtetit të Kosovës që t’i hyj garës për kryeshef ekzekutiv të Telekomit të Kosovës. Dua t’i falënderoj përzemërsisht për përkrahjen dhe ftesën e tyre shumë të sinqertë. Ndihem i privilegjuar kur shoh kaq shumë përkrahje për mua. Pyetjes suaj, se a do t’i hyj garës për drejtor, është vështirë t’i përgjigjem.

“Epoka e re”: Pse?
Shyqyri Haxha: Puna ime dallon nga shumë kandidatë të tjerë potencialë për këtë post. Unë nuk jam pa punë dhe nuk kam nevojë ta lus askënd të më përkrah padrejtësisht për këtë post nëse aplikoj. Ajo që unë them tani është se nuk do t’i shërbej kurrë një individi apo grupi politik në kurriz të të tjerëve dhe në kurriz të Telekomit. Në rast se i hyj garës nuk do të pranoj të bëhem vegël e askujt. Nëse faktori politik e ka përnjëmend që ta zhvillojë Kosovën, sot e ka rastin të fillojë nga këto dështime që kanë mbërthyer të gjitha ndërmarrjet publike. Trendi i degradimit është duke vazhduar vetëm në Kosovë dhe askund tjetër. Këto dështime kanë vënë në pikëpyetje edhe qëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës si shtet. Kosova ka një fat të madh se ka një diasporë që e furnizon me para ‘cash’, pa asnjë shpenzim nacional. Bile diaspora edhe ‘gjobitet’ dhe i krijohen barriera vetëm që ta vizitojë vendin e origjinës, Kosovën. Faktori politik nuk është duke ia ditur vlerën diasporës si nga aspekti i ndihmës financiare edhe nga aspekti i ngritjes dhe profesionalizmit intelektual. Sot diaspora është ari që ka filluar të zhgënjehet, pra dalëngadalë është duke humbur interesin që të investojë në Kosovë. Bile edhe për pushime verore apo dimërore kanë filluar të shkojnë në vende të tjera si rezultat i depresionit politik dhe atij ekonomik që kjo klasë politike ka krijuar qëllimisht apo nga padituria.

 “Epoka e re”: Ju po thoni se angazhimi juaj për Kosovën nuk ka munguar. Po pse ky hezitim për t’i hyrë garës për kryeshef të PTK-së?! Nuk e keni përkrahjen e politikës apo jeni zhgënjyer nga koha kur keni shërbyer kryeshef, sepse edhe në atë kohë, në fund të mandatit, keni pasur kritika?
Shyqyri Haxha: Kritikat kanë qenë nga grupet e interesit, kritika të orkestruara dhe me paramendim që të ma pamundësojnë vazhdimin e suksesit në PTK. Pikërisht ato burime të kritikave janë ata që sot janë pjesë e drejtpërdrejtë apo e tërthortë e falimentimit të Telekomit. Nëse e bëni një analizë, shikoni sa pak apo thuajse fare nuk është shkruar për shkatërrimin e Telekomit. Si u bë që për një moment tash po falimenton Telekomi dhe asnjë media nuk e përcolli shkatërrimin gradual që iu bë kësaj korporate për 10 vjet me radhë. Ju po thoni kritika, por nuk kanë qenë kritika. Kanë qenë ‘klithje’ që t’u lëshohet rruga për ta kullotur Telekomin dhe ia arritën. Sot profiterët më të mëdhenj janë pikërisht ata kritikuesit dhe ata që u morën me mua për tre vjet në baza ditore. Sa i përket përkrahjes politike, unë nuk kam qenë anëtar i asnjë partie politike. Kurrë në jetën time nuk kam marrë asnjë librezë të ndonjë partie politike. Kritikat më të mëdha dhe betejën më të madhe e kam pasur në atë kohë pikërisht me partitë në pushtet, pra kritikat kanë qenë rreth politikave zhvillimore dhe strategjisë së gabuar që është aplikuar nga ministrat e linjës në atë kohë. Në asnjë moment nuk kam pranuar nga Qeveria të aplikojë politika degraduese për PTK-në, prandaj këtu edhe na u thyen shpatat. Kemi pasur konfrontime të jashtëzakonshme nëpër takime ndërministrore me ministrat e linjës rreth vendimeve të tyre degraduese për PTK-në. Kjo nuk më ka ndihmuar mua personalisht aspak, por i ka ndihmuar PTK-së, sepse kjo kompani është mbrojtur. Prandaj edhe filloi fushata kundër meje, sepse ministra joprofesionalë dhe me një hamendje shkel e shko merrnin vendime joprofesionale dhe bënin ndërhyrje kundërligjore që e dëmtuan PTK-në.

 “Epoka e re”: Edhe në postimin tuaj të fundit në “Facebook” flisni për profiterë politikë, për të cilët thoni se jeni të gatshëm të ballafaqoheni me ta. Kujt i ka penguar dhe po vazhdon t’i pengojë rritja dhe zhvillimi i PTK-së/Telekomit?
Shyqyri Haxha: Zhvillimi dhe rritja e PTK-së u ka penguar atyre që kanë pasur për qëllim ta devalvojnë, t’ia ulin vlerën dhe përfundimisht ta privatizojnë bashkë me grupe të interesit vendorë dhe ndërkombëtarë. Mos harroni, ka pasur dhe besoj se ende ka qarqe ndërkombëtare dhe vendore që presin ta shohin PTK-në edhe më të lodhur, në mënyrë që ta gjunjëzojnë ende dhe ta grabisin në emër të privatizimit.

“Epoka e re”: A mund të jetë e gjithë kjo situatë si mundësi që Telekomi të privatizohet?
Shyqyri Haxha: Tash imagjinojeni se çfarë sot ka Telekomi në krahasim me vitet 2011. Goditjet për devalvim të vlerës së PTK-së kanë ardhur nga ndërhyrjet përmes EULEX-it. Ato ndërhyrje kanë qenë pikërisht të orkestruara nga politika që të devalvohet vlera e PTK-së pikërisht në fazën e privatizimit. Telekomi i Kosovës nuk mund të privatizohet pas gjithë këtij degradimi. Kjo kompani duhet të ristrukturohet, të kthjellet, t’i ngrihet vlera, pastaj të shqyrtohen mundësitë e privatizimit.

Albulena S. MAVRAJ

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Amerikës, Donald Trump, ka zbuluar dhuratën që i…