Hoxhaj: Përkrahja e ShBA-ve është e rëndësishme për Kosovën
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim njoftues ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett.
Hoxhaj i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Kosnett, ndërsa ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen, si dhe rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe shtetndërtimin e saj.
Ai ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes dy vendeve.
Teksa kanë diskutuar në lidhje me përmbylljen e shtetndërtimit të Kosovës, dialogun Kosovë-Serbi, transformimin e FSK-së, si dhe sfidat rajonale, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka theksuar se përkrahja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces është jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën.
“Ambasadorit i shpreha mirënjohjen për rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe mbështetjen e ShBA-së për Kosovën. Diskutuam për përmbylljen e shtet-ndërtimit të Kosovës, dialogun me Serbinë, transformimin e FSK-së, si dhe sfidat me të cilat përballet rajoni aktualisht. Shpreha përkushtimin për thellimin e mëtejmë të miqësisë marrëdhënieve të shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë zëvendëskryeministri Hoxhaj.
/Epoka e re/