
Haxhi Avdyli për herë të parë e përmend haptas partinë e re me Vjosa Osmanin
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Avdyli, ka deklaruar se bashkë me kryeparlamentaren Vjosa Osmanin mund të krijojnë një parti të re, pas pakënaqësive brenda LDK-së.
Ai ka thënë se ky opsion nuk mund të përjashtohet.
“Të gjitha mundësitë janë të hapura dhe me kohë opinoni do të njoftohet. Nuk hiqet mundësia që të krijohet një organizim i ri”, ka thënë Avdyli.
Megjithatë, kjo sipas tij mund të ndodhë vetëm në rrethana të caktuara.
“Nëse edhe PDK-ja hyn në qeveri, do të jetë momenti kur nuk ke më çka lufton për parime, sepse shkelet çdo parim”, ka deklaruar Avdyli.
Avdyli ka dhënë edhe detaje për krijimin e partisë së re, bashkë me Vjosa Osmanin dhe të tjerët.
“Nëse koalicioni me PDK-në bëhet përkundër vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, atëherë të gjitha mundësitë janë të hapura”, ka thënë ai në “Kanal 10”.
Madje, ai ka njoftuar se tashmë janë diskutuar edhe hapat për krijimin e partisë së re, por siç ka thënë ai, e gjitha kjo varet nga LDK-ja.