Haxhi Krasniqi më 17 nëntor sfidon gjermanin Stefan Haertel
Boksieri më i suksesshëm shqiptar, Robin Haxhi Krasniqi, më 17 nëntor 2018 do të rikthehet në ring për ta mbrojtur titullin EBU të Evropës, të fituar më 2 qershor 2018.
Përballë Krasniqit në “Anhalt-Arena” të qytetit gjerman Dessau do të jetë boksieri i talentuar gjerman Stefan Haertel, i cili si amator ka arritur suksese të mëdha dhe ka qenë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike.
Stefan Haertel është 30-vjeçar dhe e mban rekordin 17-1-0. Ai është konkurrent i Robin Krasniqit në të njëjtin klub promovues, në SES BOXING, aktualisht klubi më i fuqishëm gjerman. Për Krasniqin ky do të jetë dueli i 54-t profesionist. Deri tani Krasniqi ka siguruar 48 fitore dhe ka fituar shumë trofe ndërkombëtarë, ka luftuar dy herë për titullin e botës, është shpallur dy herë kampion evropian dhe në bazë të këtyre statistikave është boksieri më i suksesshëm shqiptar.