Haxhi Shala: Opozita duhet të bashkohet kundër pushtetit jo të bashkuar
Haxhi Shala, deputet i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se koalicioni qeverisës mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk është i bashkuar dhe se partitë opozitare duhet të shfrytëzojnë këtë e të bashkohen.
Sipas tij, aktiviteti i opozitës së re në Kuvendin e Kosovës nuk mund të mungojë pasi që “rezymeja që kryeministri Albin Kurti lexoi në Kuvend, lë të kuptohet se do të ketë punë”.
“Opozita duhet çdo herë të jetë e bashkuar. Është më e fuqishme sesa që të punojmë ndaras. Duhet të jemi të bashkuar sepse kemi një pozitë jo fort të bashkuar. Në 3-4 muaj bisedime kemi parë se nuk i besojnë njëra-tjetrës. Për ego janë bashkë, e opozita duhet të bashkohet”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.
Sipas tij, një “koalicion VV-Lista Serbe është më i fuqishëm se VV-LDK”.
“Besimi mes tyre mungon kurse VV-Lista Serbe mbetet të shihet. Por duke u bazuar në takimet e mëhershme Sveçla-Gjuriq dukej se më i mundshëm ishte koalicioni VV-Lista Serbe sesa VV-LDK. Thanë se nuk do të bëjnë koalicion, por u bë. Thanë se nuk takohemi, por u takuan. Në koalicion janë tashmë. Janë ministrat e Listës Serbe. Në takimet e fshehta kanë thënë që të mos dalin bashkë publikisht. Pasi janë ministrat, janë pjesë e qeverisë. Partnerë më të fortë janë këto dyja sesa me LDK-në. Lista Serbe i votoi ministrat e vet. Sot do të ishte jokushtetuese nëse s’do të votonte. S’mund të shitet sikur s’është. Duhet të bashkëpunohet e të dilet publikisht. S’ka pse të bëhen këto lojëra fëmijërore. Këto më nuk i shkojnë VV-së”, ka shtuar ai.