Haxhiu: 20 mijë dhunime seksuale gjatë luftës, nuk falen e as nuk harrohen – Serbia t’i dorëzojë kriminelët
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se bota duhet të flas më shumë për dhunimet që u janë shkaktuar popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt, Haxhiu, ka thënë se duhet zëshëm t’i kërkohet Serbisë që t’i dorëzojë kriminelët e luftës.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt, bota duhet të flas edhe më shumë për dhunimet që u shkaktuan ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, e madje zëshëm duhet t’i kërkohet Serbisë t’i dorëzojë kriminelët e luftës që po mbahen në Serbi”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Më tutje, Haxhiu ka thënë se Serbia është adresa ku duhet drejtuar thirrja për drejtësi, nga bota demokratike që ka për bazë lirinë dhe të drejtat e njeriut.
“Rreth 20 mijë dhunime seksuale gjatë luftës nuk mund të harrohen e as të falen. Do të punojmë çdo ditë që kriminelët të dalin para drejtësisë!”, ka shkruar ministrja Haxhiu.