Haxhiu: Aktakuza e re ndaj Thaçit, dëshmi e ndikimeve politike nga Serbia dhe Rusia
Pas ngritjes së aktakuzës së re nga Gjykata Speciale kundër ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasuar një valë reagimesh nga personalitete politike dhe publike. Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka reaguar ashpër ndaj këtij zhvillimi, duke akuzuar Gjykatën për devijim nga misioni i saj dhe ndikime politike. Sipas Haxhiut, kjo aktakuzë e re përbën një përpjekje të Prokurorisë për të arsyetuar dështimin e saj në ofrimin e provave konkrete kundër liderëve të UÇK-së.
Në vijim gjeni reagimin e plotë të deputetit Haxhiu, ku ai analizon ndikimet dhe qëllimet politike të Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si një mjet të përdorur për të njollosur luftën çlirimtare të Kosovës.
Reagimi i plotë:
Gjykata Speciale në Hagë ka devijuar nga roli i saj për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Aktakuza e fundit për çlirimtarin Hashim Thaçi dhe ekipin mbrojtës të tij, tregon se kjo gjykatë është e ndikuar politikisht nga Serbia e Rusia.
Tani kur procesit gjyqësor po i vie fundi, Prokuroria e Dhomave te Specializuara në Hagë po e humbin rastin për mungesë provash për krerët e UÇK-ë, ka filluar perndjekjen e tyre se gjoja po e pengojnë drejtësinë.
Çfare hipokrizie!
Dy herë i kam vizituar çlirimtarët në Hagë. Ata janë të mbyllur me ma shumë se 10 dyerë të hekurta.
Të pretendohet se Thaqi dhe të tjerët nga aty ku janë, të izoluar, po e pengojnë drejtësinë është jashtë çdo norme e rregulli juridik.
Apsurditet i llojit të vet…!
Gjykata Speciale është votuar për të larguar “retë e zeza’ mbi Kosovën të instaluara nga Rusia e Serbia dhe bashkpuntorët e tyre brenda dhe jashtë Kosovës.
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli e dini se do të ishin pjesë e akuzave të kësaj Gjykate por besuan në vlerat e drejtësisë ndërkombëtare dhe ishin të gatshëm ta bëjnë sakrificën e radhës për Kosovën për të zbardhur të vertetën e luftës së popullit të Kosovës dhe UÇK-së, të cilën u munduan ta njollosin njerëz të porositur me raporte të porositura nga Serbia dhe Rusia.
Pasi ra poshtë akuza për trafikim organesh, dhe gjoja krimet e kryera nga UÇK-ja, Prokuroria e Dhomave të Specializuara ngriti akuzë tjetër për presidentin Hashim Thaçi, duke treguar se po e përndjekë atë poltikisht me akuza të porositura vetëm për ta mbajtur në burg.
Gjykatë e njëanshme e që po i mban krahun bashkëpunëtorëve të BIA-së serbe.
Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.
Veprimi i fundit i Gjykatës Speciale është huqje nga drejtësia.