Haxhiu: Albin Kurti dhe Vetëvendosja nuk janë antiamerikanë
Zyrtarja e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, duke iu referuar deklaratës së emisarit të presidentit Donald Trump, Richard Grenell, se Albin Kurti çdo herë ka qenë kundër ShBA-së, ka thënë se as kjo lëvizje dhe as Kurti nuk janë kundër Amerikës.
Haxhiu, ka pyetur se si mund të jetë antiamerikan njeriu më i votuar nga populli proamerikan.
“Së pari, as Albin Kurti as Lëvizja Vetëvendosje! nuk janë antiamerikane. Kjo është klishe e vjetër që është bërë ndaj VV-së dhe tashmë kjo gjë është e tejkaluar, askush nuk beson në të, madje as vet ata që e thonë. Së dyti, Kosova është vendi më proamerikan në botë, pas vet ShBA-ve. Si mund të jetë njeriu më i votuar i popullit më proamerikan një antiamerikan? Pra, populli e ka shumë të qartë se kush është LV e Albin Kurti. Së treti, ne historikisht kemi kritikuar pozicionet e gabuara dhe të dëmshme të palëve nga Kosova dhe historia po na e dëshmon që kemi pasur të drejtë, nga demarkacioni te ‘Zajdenica’ e deri tash kur u dha shumëçka e s’u morë asgjë. Kjo nuk ka të bëjë fare me Amerikën”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e vet në “Facebook”.
Grenelli: Një gjë është e sigurt, Kurti është gjithmonë kundër SHBA-së