Haxhiu dhe Kosnetti diskutojnë për implementimin e rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë

31 mars 2021 | 16:44

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim ambasadorin amerikan Philip Kosnett, me të cilin ka diskutuar rreth rëndësisë së sundimit të ligjit, për të cilën shprehet e përkushtuar edhe Ambasada Amerikane.

Ministrja Haxhiu e ka njoftuar ambasadorin Kosnett për prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë.

Si çështje e parë u diskutua rëndësia e kompletimit dhe implementimit të rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë.

Më tej u potencua që së shpejti do të fillojë puna e grupit punues për vettingun në sistemin e drejtësisë.

Ministrja Haxhiu ka renditur edhe prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve dhe rishikimin e mekanizmave anti korrupsion, çështjet e krimeve të luftës (me fokus përmirësimin e kushteve dhe kapaciteteve të prokurorisë lidhur me ndjekjen e krimeve të luftës si dhe krijimin e mekanizmit për arkivimin e krimeve të luftës), formimi i Gjykatës Komerciale si dhe mbrojtja nga dhuna në familje. Po ashtu, u zotua se nismat e mira ligjore që kanë qenë në proces do të vazhdohen edhe më tej.

Ambasadori Kosnett ka shprehur interesimin e tij për respektimin e legjislacionit që kanë të bëjnë mes kabinetit ministror dhe shërbyesve civilë, me ç’rast ministrja Haxhiu ka garantuar respektimin e ligjeve dhe rregulloreve që kanë të bëjnë me shërbyesit civilë.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit rajonal me shtetet fqinje, me fokus në çështjet e drejtësisë si dhe çështjen e liberalizimit të vizave.

Në këtë drejtim të bashkëpunimeve rajonale ministrja e informoi ambasadorin që kanë filluar kontaktet e para me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në anën tjetër, ka potencuar vështirësitë e bashkëpunimit me Serbinë veçanërisht në çështjet e krimeve të luftës.

Sa i përket liberalizimit të vizave ministrja Haxhiu ka shprehur përkushtimin në veçanti për plotësimin e kushteve që kanë të bëjnë me luftimin dhe ndëshkimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë…