Haxhiu dhe Sveçla s’tregojnë nëse do ta respektojnë vendimin e Kushtetueses

14 maj 2020 | 23:12

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ka thënë se s’dëshiron të jep një përgjigje formale nëse do ta respektojnë ose jo vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi që mandatoi Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër.

Por, ajo e sheh si të padrejtë për qytetarët nëse krijohet një qeveri e re pa zgjedhje dhe pa fituesin e zgjedhjeve.

“Vullneti i popullit nuk mund të shkelet me Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën. A do ta lirojë Thaçi zyrën e tij nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson se e ka shkelur Kushtetutën? Nuk është çështja se jemi të lidhur për karrige, por te vullneti i qytetarëve. Nuk guxojmë që vullnetin e qytetarëve ta përmbysim me marrëveshjet në zyrat e presidentit”.

Haxhiu në Rubikon ka thënë se vendimi i Kushtetueses për këtë çështje është i një rëndësie të lartë dhe jo vetëm për situatën aktuale, por të ardhmen afatgjate.

“S’mund të paragjykojë për Gjykatën Kushtetuese, por vendimi që do ta merr do të jetë ndër më të rëndësishmit. Çfarëdo vendimi në kundërshtim me aktgjykimin e 2014-ës dhe Kushtetutës e dëmton rëndë demokracinë dhe i humbet kuptimi edhe zgjedhjeve edhe garës”.

Megjithatë, Haxhiu thotë se situata është e ngjashme me atë të 2014-ës, prandaj edhe nuk duhet të ketë standarde të dyfishta.

“Gjykata ka vendosur që vullneti i qytetarëve duhet të respektohet dhe lidhet me fituesin e zgjedhjeve, s’ka qeveri pa fituesin”.

Por, një përgjigje definitive s’e dha as ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Nuk mund të ndërrohen rregullat e lojës gjatë lojës. Vlerësimi i gjykatës në situatë të njëjtë duhet të jetë i njëjtë, prandaj po përmendim vitet 2010, 2014 dhe 2017”.

“Ne presim aktgjykim pozitiv dhe të drejtë të Gjykatës Kushtetuese. Aktgjykimet e mëhershme i kemi respektuar, por jo me dëshirë dhe vullnet të lirë. Nuk mund të na kërkohet prapë që të respektojmë një vendim të Gjykatës Kushtetuese nëse është në kontradiktë me vendimin e parë. Atëherë, i bie që i forti e bën ligjin”.

“Në rrethana të njëjta nuk mund të marrësh dy vendime të ndryshme. Ne jemi të bindur se Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim bazuar edhe në Kushtetutë edhe në praktikën që vet e ka përcaktuar”.

“Kam pritshmëri që gjykata do të marrë vendim të drejtë. Ne nuk po themi çfarë ne mendojmë, as çfarë ne dëshirojmë – ne po themi se çfarë vendimesh ka marrë Gjykata Kushtetuese në situatë të njëjtë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Dritës, Valon Murseli, ka kërkuar dënimin e Prishtinës…