![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2024/02/PDK-konference-Bekim-Haxhiu-foto-Ridvan-Slivova-3-e1699728997752.jpg)
Haxhiu: Dyshoj se padia ndaj Mehmetajt është bërë nga Basha, ajo është përgatitur nga Dejona
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se dyshon se padia e Dimal Bashës është përgatitur nga deputeti i Vetëvendosjes.
Haxhiu ka pretenduar se padia është bërë nga klani propagandistik i LV-së, që sipas tij, udhëhiqet nga Dejona Mihajli.
Haxhiu ka shkruar në “Facebook” se ky veprim tregon për kapjen e drejtësisë.
“Përpjekja për linçim, frikësim dhe nënshtrim të çdo zëri kritik nga pushteti autokrat i Kurtit siç është edhe padia shpifëse e Dimal Bashës ndaj Lirim Mehmetaj, tregon qartë kapjen e drejtësisë duke i luftuar gazetarët e paktë hulumtues e të guximshëm aktualisht në Kosovë. Dyshoj se Dimali nuk e ka shkruar atë padi ndaj Lirim Mehmetaj, por ajo është e përgatitur në klanin propagandistik të LV-së të udhëhequr nga Dejona Mihajli, siç u dëshmua që i dirigjon edhe fjalimet e deputetëve të LV-së”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas tij, drejtësia është duke përdorur standarde të dyfishta.
“Kritikat dhe argumentet e Lirimit dhe analistëve tjerë që pasqyrojnë dështimet e qeverisë Kurti, nuk mund të shuhen dhe anashkalohen me padi farse të këtij pushteti. Drejtësia sot në Kosovë po përdorë standarde të dyfishta ndaj atyre që e kritikojnë pushtetin dhe ndaj njerëzve të pushtetit të cilët çdo ditë fyejnë, shajnë dhe linçojnë opozitarët”, ka shkrua Haxhiu.