Haxhiu e pyet Latifin për punësimin e Vitisë në një spital privat, ja si përgjigjet ministri i MSh-së

26 maj 2022 | 12:11

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se beson se ish-ministri i Shëndetësisë (MSh), Arben Vitia e ka shkelur ligjin duke u punësuar në një spital privat.

Se a është në dijeni të kësaj, Haxhiu në seancën e sotme të Kuvendit e ka pyetur ministrin aktual të Shëndetësisë, Rifat Latifin.

“Në media është raportuar që paraardhësi juaj, ish-ministri Arben Vitia ka filluar punën në kompaninë ‘Olive’. Në foton e publikuar në media, ai shihet me stafin e kësaj kompanie. Në aplikacionin për licencim të spitalit ‘Olive’ në Ministrinë e Shëndetësisë, Arben Vitia figuron staf i kësaj kompanie. A jeni në dijeni se ky veprim i Arben Vitisë si ish-ministër i Shëndetësisë është konflikt i interesit, pasi ‘Olive’ është licencuar nga MSh-ja për testet PCR?”, ka pyetur Haxhiu.

Më tutje, Haxhiu e ka cituar Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, i cili sipas tij është shkelur në këtë rast.

Në përgjigje, ministri Latifi ka thënë se çdokush “ka të drejtë të punojë aty ku ka dëshirë”.

“Është fare e qartë se kjo pyetje është jashtë komforitetit tim me u përgjigj, por nëse është shkelë ligji, atëherë sigurisht organet përkatëse do të merren me të. Ndërsa unë mendoj se çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të punojë aty ku ka dëshirë, qoftë në sektorin privat apo në sektorin shtetëror. Por, nëse ka pasur shkelje të ligjit, atëherë sigurisht organet përkatëse do të merren me të”, ka thënë Latifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se bashkë me Policinë…