Haxhiu e quan Tahirin ‘shurdhues’, thotë se për zhdukjen e mostrave të Deharit ka njoftuar organet e drejtësisë më 2022
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i është kundërpërgjigjur shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili sot (e hënë) ka pyetur se pse partia në pushtet po hesht për mostrat e rastit Dehari, të cilat u gjetën javën e kaluar.
Haxhiu, përmes një shkrimi në “Facebook”, e ka quajtur Tahirin “ish-ministër shurdhues”, duke thënë se po “adreson shpifje”.
“Ish-ministri më shurdhues, Abelard Tahiri paska adresuar publikisht shpifje të cilat nuk janë për t’u injoruar, por të cilat kërkojnë reagimin e institucioneve përkatëse të drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se qysh më 7 dhjetor 2022 i ka njoftuar institucionet e drejtësisë për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
Në një postim në “Facebook”, deputeti i PDK-së ka shtruar edhe disa pyetje të tjera, lidhur me atë se kush i vodhi këto mostra, e ku qëndruan ato për një vit e gjysmë.
Tutje ai ka pyetur se a ka pasur ndërhyrje në mostra në kohën sa ato ishin jashtë Institutit, derisa tutje ka shkruar se kush i ka kthyer ato tani.