Haxhiu: Gjatë dy dekadave ka munguar vullneti politik për adresim të krimeve të luftës
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një diskutim me eksponentë të çështjes së drejtësisë, ambasadorë, përfaqësues të organizatave relevante të drejtësisë, ka theksuar se një nga prioritetet e qeverisë së re, respektivisht Ministrisë së Drejtësisë, është adresimi i krimeve të luftës, duke pasur parasysh faktin se qeveritë e kaluara asnjëherë nuk i kanë trajtuar me prioritet çështjet e krimeve të luftës.
“Ndonëse kanë kaluar dy dekada prej kur ka përfunduar lufta në Kosovë, drejtësia ka qenë në shpërputhje me të vërtetën. Gjatë këtyre viteve ka munguar vullneti politik për adresim të krimeve të luftës, e ky vullnet politik ka reflektuar edhe tek institucionet e drejtësisë”, ka thënë ministrja Haxhiu.
Ministrja ka pohuar se adresimi i krimeve të luftës është një sfidë serioze që kërkon kapacitete shtesë për të fuqizuar prokurorinë speciale.
Deri tani janë vetëm katër prokurorë ndërkohë që numri i lëndëve është jashtëzakonisht i madh, me ç’rast Haxhiu ka theksuar nevojën e domosdoshme për rritje të stafit që ndihmojnë prokurorët dhe rritjen e numrit të prokurorëve.
Ministrja Haxhiu ka njoftuar edhe për debatin që do të diskutohet në Kuvend rreth projektligjit që adreson krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ajo ka bërë me dije se para disa viteve ka hyrë në fuqi një vendim me ndryshim në kodin e procedurës penale ku lejonte gjykimet në mungesë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, dhe shtoi se projektligji i ri do t’ua liroj duart e prokurorëve special për të mundësuar efikasitetin në punët e tyre.
Ligji është përpiluar në linjë të plotë edhe me praktikat tjera, sidomos të vendeve të BE-së, që kanë bërë gjykim në mungesë.
“Në maj të këtij viti do të themelohet grupi për hartimin e koncept-dokumentit për themelimin e institucionit për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke bashkëpunuar në këtë drejtim me përfaqësues të institucioneve, ekspert të fushave dhe organizatat vendore e ndërkombëtare. Është koha e fundit që Kosova t’i trajtoj seriozisht krimet që janë kryer ndaj popullsisë në periudhën e luftës së fundit, dhe nuk ka asnjë shembull si Kosova që kanë neglizhuar krimet, prandaj duhet një hetim serioz për të sjellë drejtësi për atë se çfarë ka ndodhë gjatë luftës. Kriminelët duhet të dalin para drejtësisë, e jo të enden lirshëm, kudo që janë”, ka deklaruar ministrja Haxhiu.