Haxhiu i PDK-së: Renovimet në QKUK me kontrata kriminale
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi, ka lëshuar një video ku dëgjohet kryeministri Albin Kurti dhe ministri Arben Vitia duke premtuar sigurimet shëndetësore. Ai ka pasur kritika për vlerat e renovimeve të klinikave të QKUK-së, duke i quajtur “kontrata kriminale”.
“Kemi të bëjmë me zhvatje të buxhetit dhe konflikt të interesit, kompani që kanë përfituar shumë më shtrenjtë nga çmimi real i tregut. Heqja e tepisonit në Gjinekologji ka kushtuar 33 euro, ndërsa heqja e saj në çmimin e tregut është 1 euro. Heqja e dyerve ka kushtuar 22 euro, pra një heqje e derës 22 euro, në çmimin e tregut është 10 euro. Këto kontrata janë kriminale, madje edhe punët që janë bërë kanë mbetur nën hije nga këto veprime”, ka thënë Haxhiu, duke adresuar kritika edhe për listën e gjatë të pritjes për rezonancë magnetike.
“Një pyetje zotëri ministër. A e dini kush ka pasur guxim me pranuar infermierë me shkollë të mesme pa pasur fare shkollën e mesme të mjekësisë?. Është zonja Elvira, e cila është punësuar në Spitalin e Mitrovicës si infermiere pa shkollë të mesme të mjekësisë. Është motra e një asamblisti të LV-së në Vushtrri”, ka thënë Haxhiu.