Haxhiu i quan hipokrite kërkesat e PSD-së për dialogun me Serbinë
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, i ka quajtur hipokrite kërkesat e Partisë Socialdemokrate (PSD) në raport me seancën e jashtëzakonshme për dialogun me Serbin dhe kthimin e deputetëve nga pushimet në kohën kur Kuvendi ka përfunduar punimet e sesionit pranveror.
Ajo në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se PSD-ja nuk e ka kundërshtuar vendimin e Kryesisë për shkuarjen e Kuvendit në pushim.
Postimi i plotë i Haxhiut:
Kur në Kryesinë e Kuvendit është vendosur për pushim të Kuvendit, kjo nuk është kundërshtuar nga PSD, madje as atë të hënë kur ndonëse nuk u votua ndonjë rezolutë e Kuvendit për shkak të mungesës së kuorumit, nuk kundërshtuan shkuarjen në pushim andaj tani kërkesat e tyre janë joserioze dhe hipokrite.
Por, po ashtu kanë qenë fare pak të përfshirë në debat madje shumë pak prej tyre, dy apo tre kanë qëndruar në sallë në kohën e debatit, shumë pak prej tyre kanë folur. Komplet qasje joserioze e shpërfillëse ndaj debatit që e kishin thirrur.
PSD-ja tashmë e ka uzurpuar pozicionin e nënkryetares në Kryesinë e Kuvendit andaj të paktën tani le t’i shfrytëzojnë të gjitha të drejtat dhe mundësitë që i jep Rregullorja e Punës.
Ata duhet të kuptojnë po ashtu që ne si grup kemi propozuar pika për votim lidhur me dialogun dhe atë si në vijim:
1. Të ndërpritet formati aktual i dialogut me Serbinë
2. Askush në emër të Kosovës nuk mund t’i negociojë çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës
3. Reciprocitet i plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë
4. Reciprocitet i të drejtave të popullit shqiptar në Serbi me popullin serb në Kosovë
5. Padi për gjenocid kundër Serbisë
6. Hashim Thaçi është person jokredibil për ta udhëhequr dialogun e ardhshëm me Serbinë
Nëse këto nuk përfshihen, s’ka kuptim asnjë rezolutë tjetër.
/Epoka e re/