Haxhiu jep detaje për zjarrin në IML: Nga vlerësimet fillestare nuk ka pasur djegie të mbetjeve mortore, arkivës dhe mostrave
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas zjarrit që ka përfshirë të martën Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
Ajo ka thënë se nga vlerësimet fillestare nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML-së dhe mostrave.
“Rreth orës 08:00 të mëngjesit, nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, jam njoftuar që dy zyra në katin e dytë në objektin e IML, janë përfshirë nga zjarri. Ekipet e zjarrëfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML-së dhe mostrave. Ekipet e forenzikës, ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke e kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit. Policia dhe prokuroria po ashtu janë duke bërë punën e tyre. Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML ndërvite, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë. Sapo të kemi informacione më të detajuara lidhur me rastin, do të njoftojmë me kohë”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.