Haxhiu kërkon dënim meritor për vrasësin e të ndjerit Agonis Tetaj
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka reaguar pasi në ditën kur parashihej t’i vinte fundi procesit të gjykimit të Shaban Gogajt, lidhur me vrasjen e Agonis Tetajt, akuza e Prokurorisë ndryshoi.
Në fjalën përfundimtare në Gjykatën e Pejës, prokurori i rastit Agron Uka gjatë seancës së djeshme gjyqësore, rikualifikoi veprën penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia, e cila është më pak e dënueshme.
Ndërkohë, babai i të ndjerit Agonis Tetaj, Isuf Tetaj iu është drejtuar me një letër kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, kryesuesist të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Malokut, kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufit, Haxhi Dërgutit nga Prokruroia e Apelit si dhe ambasadorëve të huaj në Kosovë.
Tetaj përmes kësaj letre ku ka bashkangjitur edhe video incizimin ku shihet momenti i vrasjes së djalit të tij, shpreh shqetësimin e tij dhe frikën siç potencon ai për procesin e manipuluar lidhur me rastin e vrasjes së Agonis Tetaj në shtator të vitit 2018.
Lidhur me këtë ka reaguar ish-ministrja e Drejtësisë në Qeverinë Kurti, Albulana Haxhiu, e cila ka thënë se “sot, qytetarët patën mundësinë të shohin se si në vitin 2018 ishte vrarë Agonis Tetaj në vendin e punës, baba i dy fëmijëve. Mënyra e vrasjes tronditi opinionin publik. Një i ri, në vendin e punës ditën e diele, u vra nga djali i pronarit i cili hallet e tij i shfrynë në punëtorët që trajtohen në mënyrë mizore”.
Postimi i plotë i saj në “Facebook”:
Dënim meritor për vrasësin e të ndjerit Agonis Tetaj
Nuk kalon asnjë ditë, pa u tronditur opinioni publik me skandalet e atyre që do të duhej të punonin dhe angazhoheshin për drejtësi. Këto skandale dhe veprime shumë të dyshimta, po i njollosin edhe prokurorët e ndershëm e profesionistë brenda sistemit. Këtë nuk duhet ta lejojnë!
Sot, qytetarët patën mundësinë të shohin se si në vitin 2018 ishte vrarë Agonis Tetaj në vendin e punës, baba i dy fëmijëve. Mënyra e vrasjes tronditi opinionin publik. Një i ri, në vendin e punës ditën e diele, u vra nga djali i pronarit i cili duket që hallet e tij i shfrynë në punëtorët që trajtohen në mënyrë mizore.
Jam e tronditur me qëndrimin e prokurorit Agron Uka dhe rikualifikimin e veprës, nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje nga pakujdesia”.
Jam po ashtu e tronditur me ndërhyrjet e prokurorit Haxhi Dërguti përmes transferimit të lëndës nga Peja në Gjilan.
Ky rast dërgon tek dyshimet se ka pasur ndërhyrje të mëdha!
Sistemi i drejtësisë duhet të jetë në shërbim të së vërtetës dhe drejtësisë.
Përballë këtij skandali të radhës, nuk duhet të heshtë as kryeprokurori Lumezi. Duhet të hetohet lidhja, korrupsioni dhe gjitha ndërhyrjet që janë bërë në këtë rast.