Haxhiu kërkon drejtësi për vrasjen e 21 vjeçares: Sistemi gjyqësor dhe prokurorial duhet të na dëshmojnë se anën e kujt e mbajnë

13 prill 2024 | 22:13

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes 21-vjeçares gjatë ditës së djeshme në Ferizaj, nga i dyshuari, ish-bashkëshorti i saj.

Haxhiu ka thënë se vonesa minimale për drejtësi është “kompromis për kiminelët”. Ministrja e Drejtësisë thotë se tentimet për të folur mbi motivet a shkaqet e akteve të tilla janë tendencë për relativizimin dhe justifikimin e krimit.

“Nuk ka asnjë justifikim për vrasjen e grave. Asnjë rrethanë lehtësuese. Tentimet për të folur mbi motivet a shkaqet e akteve të tilla janë tendencë për relativizimin dhe justifikimin e krimit. Vrasja është krim, vrasësi është kriminel. Vrasja e grave është puro femicid dhe duhet drejtësi një hap e më parë”, ka shkruar Haxhiu.

Tutje Haxhiu thotë se është momenti i fundit që drejtësia të veprojë, që raste të tilla të mos përsëriten.

“Secila vonesë minimale për drejtësi tregon për shtegdalje për një kompromis me kriminelët. Pra, tashmë kur gruaja është vrarë dhe nuk e kthen asnjë dënim çfarëdoqoftë ai, çdo vonesë eventuale është tashm krim në vetvete”.

“Sistemi gjyqësor dhe prokurorial me vendimet e tyre duhet të na dëshmojnë se anën e kujt e mbajnë. Është momenti i fundit që drejtësia të veprojë, nuk kemi jetë grash për të humbur. Njerëzimi ka shpikur gjyqësorin pikërisht që të dobëtit të kenë mundësi që të ketë drejtësi edhe për ta. Drejtësia nuk ka lindur vetvetiu, por pikërisht përkundër përvojës së njerëzimit me padrejtësinë”, ka thënë Haxhiu në postimin e saj.

Gjatë ditës së sotme, Gjykata Themelore në Ferizajt ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj 36-vjeçarit V.A., i dyshuar për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e vëllait të saj në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.

Kështu ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net zëdhënësja e Prokurorisë në Ferizaj, Vjosa Baftiu.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me iniciale V.A., lidhur me rastin e vrasjes së rëndë në Ferizaj”.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, i pandehuri, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E,C., me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur me armë disa herë në kokë dhe ka plagosur në krah vëllain e të ndjerës – i mitur, me çka kreu veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 dhe 1.5 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Po ashtu, i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit ZORAKI M 2906-T, me një karikator të zbrazur, e cila më 12 prill 2024, i’u është konfiskuar nga policia, me çka kreu veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Baden- Württemberg, nëndega e PDK- së, Karlsruhe, Rastatt dhe…