Haxhiu kërkon të publikohet shkresa e Thaçi drejtuar Mustafës për mandatarin
Ministrja e Drejtësisë në detyrë nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi dhe nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa që ta publikojnë letrën me anë të së cilës Thaçi ka kërkuar emrin e mandatarit për kryeministër.
“Zyra e Presidentit javës që shkoi u konfirmoi mediave që presidenti ia kishte kërkuar emrin për mandatar, kryetarit të LDK, Isa Mustafa. Jemi të gjithë dëshmitarë, sidomos vet gazetarët, se letrat e shkresat për këto tema drejtuar LV dhe kryeministrit Kurti, më parë dilnin në media se sa mbërrinin në zyrat tona. Çka u bë tash? Pse nuk e publikojnë këtë shkresë? Pse ky terr informativ? Pse kjo mungesë absolute e transparencës?”.
Meqë presidenti është kaq i sigurt për veprimet e veta, le të urdhërojë e ta publikojë. E njëjta vlen edhe për kryetarin e LDK-së. Padyshim që ata janë të vetëdijshëm për arbitraritetin e tyre dhe se kjo është shkelje e Kushtetutës me paramendim”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e vet në “Facebook”.