Haxhiu kërkon të punohet me seriozitet në parandalimin e kontrabandës në burgje
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani të martën kanë mbajtur takimin e fundvitit, në të cilin kanë marrë pjesë drejtorët e burgjeve, ku është diskutuar për punën, sfidat dhe të arriturat gjatë vitit 2023.
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu kërkoi që të punohet me seriozitet në parandalimin e kontrabandës në burgje, ngritjen e sigurisë, krijimin e kushteve dhe për respektimin e të drejtave të të burgosurve.
Tutje ministrja Haxhiu shprehu mbështetje për Shërbimin Korrektues të Kosovës në aspektin ligjor dhe atë financiar, ndërsa kërkoi që t’u jepet mbështetje edhe grave të punësuara në institucionet korrektuese.
Ndërsa drejtorët e burgjeve kanë raportuar për arritjet, sfidat dhe synimet të cilat janë përkitazi me planin e punës dhe realizimin e strategjive dhe planifikimeve për vitin 2024.
Sipas tyre çështje shqetësuese mbetet trajtimi i të burgosurve të cilët kanë vendim për trajtim psikiatrik. Drejtorët shprehen vullnetin që me përkushtim të pakursyer dhe përgjegjësi të plotë, t’i përmbushin obligimet në përputhje me përgjegjësitë e tyre.