Haxhiu kërkon zgjidhjen e çështjes së pensionistëve kontributdhënës

24 korrik 2020 | 11:47

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka kërkuar në Kuvendin e Kosovës, të zgjidhet çështja e pensionistëve kontributdhënës, të cilëve nuk u njihet stazhi i punës që nga paslufta, por vetëm stazhi i punës para vitit 1999.

Haxhiu, në fjalën e saj ka thënë se do ta paraqesë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Haxhiu ka thënë se këto dispozita ligjore, të bazuara në ligjet e ish-Jugosllavisë, diskriminojnë kontribuuesit.

Ajo ka thënë se po përfitojnë pikërisht ata që i ishin nënshtruar sistemit në atë kohë, ngase vetëm ata nuk ishin larguar dhunshëm nga puna.

“Si rrjedhojë e këtyre fakteve, ka shumë pak kontributdhënës që mund të plotësojnë periudhën 15-vjeçare. Ka shumë prej tyre që për disa javë nuk e plotësojnë këtë kriter. I bie që ai ka punuar gjithë ato vite dhe ai nuk gëzon pensionin dhe kontributin e tij dhe merr një pension sikur dikush që nuk ka punuar fare, pra pension i moshës”, ka thënë Haxhiu.

Më tutje, ajo ka propozuar se secilit t’i njihet stazhi i punës dhe secili të paguhet për aq kontribut sa ka dhënë.

“Është mirë që secili të paguhet për vitet e punës. Pra, për aq vite sa kanë punuar, për aq vite të paguhen. Në rezolutën që do ta paraqes sot, jam i sigurt që të gjitha grupet parlamentare kanë ndjeshmëri për këta pensionistë. Më shumë sinqeritet pres nga të gjitha grupet parlamentare, që ta bëjmë një zgjidhje”, është shprehur Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 93-vjeçar ish-oficer ‘SS’ është shpallur fajtor për ndihmë në…