Haxhiu: Këshilli Prokurorial i Kosovës do të ketë përbërje të re
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paraqitur në Kuvend, Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Ajo para deputetëve ka thënë se me miratimin e plotësim-ndryshimeve të reja, Këshilli Prokurorial do të ketë përbërje të re.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës do të ketë një përbërje të re, me prokurorë dhe jo prokurorë. Por proporcioni, apo dallimi në numra në mes anëtarëve prokurorë dhe atyre jo prokurorë do të jetë një. Fillimisht përbërja e re do të ketë dy anëtarë nga prokuroritë themelore, qoftë nga Prokuroria e Apelit apo Speciale dhe kryeprokurorin e shtetit sipas detyrës zyrtare. Ashtu siç e thonë Kushtetua, Kuvendi sipas këtij plotësim-ndryshimi ka të drejtë të zgjedhë dy anëtarë jo prokurorë, ndërsa risia kryesore është caktimi i një anëtari nga Avokati i Popullit në konsultim me organizatat e shoqërisë civile. Anëtarët e Këshillit aktual me rekomandimin e Komisionit të Venecias do të hedhin shortin dhe tre nga nëntë prej tyre do të mbesin në kryerjen e mandatit që kanë, ndërsa pjesa tjetër do të kthehen në detyrat që i kanë si prokuror”, ka thënë ajo.
Ministrja Haxhiu ka adresuar kritika ndaj përbërjes aktuale të Këshillin Prokurorial, për të cilin ka thënë se ka qenë i ndikuar nga grupet e interesit dhe politika.
“Këshilli Prokurorial ka qenë i ndikuar nga grupet e interesit, por edhe politika. Të gjithë jemi dëshmitarë se përkundër skandaleve që kemi parë publikisht nuk janë ndërmarrë veprime serioze për adresimin e tyre”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka theksuar se për këtë projektligj kanë marrë dy opinione pozitive nga Komisioni i Venecias.