Haxhiu konfirmon se nuk do të takohet në Hagë as me Thaçin e as Veselin, këta të fundit s’pranuan
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është nisur për vizitë drejt Hagës.
Qëllimi i vizitës, e cila do të zgjasë tre ditë, është për të takuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej më shumë se një viti mbahen në paraburgim në Hagë.
Lajmin për këtë vizitë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net Flamur Pireva, këshilltar i ministres Haxhiu.
Por në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, pak para nisjes, Haxhiu ka treguar më detajisht se me kë do të takohet e kë jo.
Me ish-presidentin Hashim Thaçi e ish-kreun e PDK-së, Kadri Veseli, ajo nuk do të zhvillojë takim.
“Do ta takojmë Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Nasim Haradinajn, Hysni Gucatin dhe Pjetër Shalën. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk na kanë pranuar, kurse gjykata nuk na e ka mundësuar takimin me Salih Mustafën”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja Haxhiu, në Hagë, do të shoqërohet nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Buogujevci e të tjerë.