Haxhiu kritikon Gjykatën Kushtetuese për vonesa në trajtimin e ligjeve
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për mosrespektim të afatit kohor për t’i trajtuar ligjet që po dërgohen në këtë gjykatë.
Në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, ajo ka thënë se vetingu i cili është ndër reformat kryesore është në pritje qe 10 muaj për mendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Sa i përket çështjes së sundimit të ligjit ne kemi ndërmarrë disa veprime. Në këtë rast, fatkeqësisht vetingu në sistemin e drejtësisë, që është një nga reformat kryesore ende pret për mendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e ka me ligj dy muaj afatin për t’i trajtuar ligjet që kontestohen nga Kuvendi i Kosovës. Por, në ligjet e ndjeshme dhe as një ligj tjetër gjykata nuk e respekton këtë afat kohor. Pra, dy muaj e ka me ligj në anën tjetër për vetingun e presim që 10 muaj, për byronë për konfiskimin e pasurisë po ashtu presim që 10 muaj, Këshillin Prokurorial e ka shpallur të pa vlefshëm dhe e kemi pritur 9 muaj. Kjo tregon që Gjykata Kushtetuese nuk është në ndjeshmërinë e njëjtë siç janë qytetarët e Kosovës të cilët mezi presin jetësimin e këtyre formave”, ka thënë ajo.