Haxhiu: Kryeparlamentari çështje e kryer, opsion mbesin zgjedhjet e reja
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se çështja e kryeparlamentarit është e mbyllur dhe se opsioni i vetëm nëse nuk bëhet koalicioni me LDK-në janë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Nuk ka thënë asnjëherë LDK-ja se kryetari i Kuvendit i takon atyre, përkundrazi, ne kemi thënë që për hir të bashkëpunimit mund ta diskutojmë që propozimin ta vëmë nga radhët e LDK-së. Por, LDK-ja e deshi edhe kryetarin e Kuvendit edhe presidentin. Kur erdhëm në këtë situatë, insistimi i LDK-së për presidentin gjithçka ndryshoi dhe nuk kishte marrëveshje. Ne propozuam kryetarin e Kuvendit, por nëse nuk do ta votonte ai nuk do të kalonte. Ne vepruam në përputhje me kërkesat që ata i kishin. Nuk i kanë kushtuar rëndësi në takime pozitës së kryetarit, por pasi u zgjodh u bë problem. Vendimi i 75 deputetëve është i pakthyeshëm. Nëse ata pranojnë ofertën tonë gjithçka do të ishte më e lehtë”, ka thënë ajo për “Ekonomia Online”.
Haxhiu ka pranuar ofertën e re për LDK-në, por nuk ka dashur ta komentojë, duke thënë se pas kësaj oferte partia e Isa Mustafës duhet ta thërras Këshillin e Përgjithshëm për ta shqyrtuar atë.
“Ne kemi përkushtim ë madh për këtë koalicion siç kemi thënë e vepruar. Shpresoj që LDK-ja do ta pranon ofertën tonë në mënyrë që t’i hapet rrugë krijimit të qeverisë së Republikës së Kosovës. Partner tjetër nuk do të kemi, përveç bashkëpunimit me partitë e minoriteteve. Sa i përket PAN-it tash parti të ndara ne nuk do të kemi bashkëpunim. Pra alternativa e dytë janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, që për Vetëvendosjen nuk janë të pranueshme pasi vendi po kalon në situata problematike. Nëse shkojmë të ky version, jemi të detyruar ta bëjmë një gjë të tillë”, është shprehur Haxhiu.