Haxhiu mban takime konsultative për finalizimin e Strategjisë për sundimin e ligjit
Gjatë kësaj jave, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mbajtur një sërë takimesh me hisedarët kyç të procesit të rishikimit funksional për sundimin e ligjit.
Qëllimi i këtyre takimeve ishte adresimi i komenteve të pranuara gjatë procesit të konsultimeve publike gjatë muajve të kaluar.
Të premten ministrja Albulena Haxhiu ka takuar drejtuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), konkretisht kryesuesin e këtij këshilli, Skender Çoçajn me ekipin e tij.
Java ka filluar me takimin e parë me Zyrën e BE-së në Kosovë.
Më pas, janë mbajtur takime me Policinë e Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Akademinë e Drejtësisë, për të përfunduar javën me takim me takimin që është zhvilluar me KGjK-në.
Në këto takime janë diskutuar të gjitha komentet e këtyre institucioneve mbi draftin e parë të Strategjisë për Sundimin e Ligjit.
Ministria e Drejtësisë dhe këto institucione kanë gjetur zgjidhje konsensuale për të gjitha çështjet që janë diskutuar në këto takime dhe është tashmë e gatshme për të reflektuar ato në draftin final të Strategjisë.
Drafti final i kësaj strategjie, që duhet përfunduar gjatë muajit qershor, pritet të diskutohet dhe të mbështetet nga KGjK-ja dhe KPK-ja, para miratimit të saj përfundimisht nga qeveria.