Haxhiu mbrëmë akuzoi Thaçin se tentoi faljen krimeve të luftës, por ‘harroi’ se qeveria Thaçi e kishte miratuar ligjin që ndalon faljen këtyre krimeve
Ministrja e Drejtësisë, Albulene Haxhiu, ka vazhduar kritikat ndaj qeverive të kaluara.
Në tubimin e djeshëm elektoral në Drenas, ajo ka akuzuar ish-kryeministrin Hashim Thaçi se në negociata me Serbinë ka tentuar faljen e krimeve të luftës.
Në këtë mënyrë, ministrja Haxhiu ka “harruar” se në qeverinë Thaçi II ishte miratuar Ligji për Amnisti, i cili e ndalon faljen e krimeve të luftës.
“Madje, në negociata me Serbinë, ish-kryeministri Hashim Thaçi pati planifikuar edhe që t`i aministoi krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë, por populli i Kosovës nuk e lanë”, ka thënë Haxhiu.
Kjo nuk është hera e parë që ministrja Haxhiu tenton të manipuloj me këtë çështje.
Një gjë të tillë ajo e kishte bërë edhe në Kuvendin e Kosovës gjatë kësaj legjislature.
Madje, në një nga seancat e Kuvendit, për të njëjtën çështje ajo e kishte akuzuar edhe ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Mirëpo, në kohën kur ky i fundit drejton dikasterin e Drejtësisë, qeveria Thaçi kishte miratuar Ligjit për Amnisti, i cili ndalon faljen e këtyre ligjeve.
Në nenin 4 të këtij ligji përmendet veprat që nuk mund të falen asnjëherë.
“1. Amnistia nga cilado vepër penale e përmendur në këtë ligj nuk do të aplikohet për: 1.1. veprat kundër akterëve ndërkombëtar dhe forcave ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë. Anëtarët e forcave ndërkombëtare të sigurisë janë gjithmonë nën jurisdiksionin e shtetit dërgues; 1.2. veprat të cilat përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare përfshirë ato vepra penale të Kapitullit XV të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Kapitullit XIV të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës dhe Kapitullit XVI të Kodit Penal të RSFJ 1976; 1.3. vepat penale që kanë rezultuar me lëndim të rëndë trupor ose me vdekje”, është thënë në këtë nen të Ligjit per Amnisti, i cili është miratuar në shtator të vitit 2013.
Kurse, në Kapitulli XV të Kodit Penal të Republikës së Kosovës specifikohet se cilat vepra nuk mund të falen me Ligjin për Amnisti.
Në nenin e këtij kapitulli të Kodit Penal të Republikës së Kosovës përenden se krimet e luftës që nuk mund të falen janë gjenocidi, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës, shkeljet e rënda të konventave të Gjenevës dhe krimet tjera.
Në nenin 143 të këtij kodi, ku flitet për krimet kundër njerëzimit, përmendet edhe “zhdukja e detyruar e personave”.
Madje, në piken 2.9 të këtij neni shpjegohet edhe çka nënkupton ku term.
“2.9. Shprehja zhdukja e detyruar e personave – nënkupton arrestim, paraburgim ose rrëmbim i personave nga, ose me autorizimin, përkrahjen apo pajtimin e shtetit apo organizatës politike, shoqëruar me refuzimin e atij autoriteti ose organizate për të pranuar atë privim të lirisë apo për të dhënë informata mbi fatin apo vendndodhjen e atyre personave, me qëllim që këta persona të mos gëzojnë mbrojte juridike për një periudhë të zgjatur kohore”, thuhet aty. /Nacionale