Haxhiu me akuza të rënda ndaj Sveçlës: Është dezertor, ka ikur prej luftës

07 qershor 2021 | 11:43

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu e ka quajtur dezertor ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçlën, lidhur me raportimet se ai ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Haxhiu ndër të tjera ka komentuar edhe reagimet e Sveçlës rreth rastit të arrestimit të ish-kryetarit të OVLUÇK-së, Faik Fazliu, duke thënë se deklaratat e tilla janë tejet shqetësuese.

“Duket sipas deklaratave edhe të vet Faik Fazliut, që edhe në stacion të policisë ka pasur kërcënime se ‘çka lyp t’i në Prizren?’. Për mua më shqetësuese bën deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme apo kryepolicit të Kosovës, që invalidin e luftës e parafrazon si të fortë”.

“Për këtë pushtet, për Lëvizjen Vetëvendosje, invalidi i luftës nuk është person i cili ka sakrifikuar gjymtyrët e trupit për lirinë e atdheut. Por, është mendësi apo koncept që invalidi i luftës është i forti”.

“Një reagim edhe më skandaloz ishte, reagimi i burrit të ministrit të Drejtësisë. Besoj shumë që atë reagim nuk e ka bërë burri i ministres, por e ka shkruar dikush në emër të tij, por dikush nga byroja politike e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Haxhiu në një emision në “Klan Kosova”.

Haxhiu është pyetur se a ishte pjesë e UÇK-së, Xhelal Sveçla.

“Po e njoh unë sa ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Ai ka qenë në zonën ku kam qenë unë. Xhelal Sveçla është dezertor. Ai ka qenë në gusht të ’98-ës, në pikën ‘te Berant’ në Klinë të Epërm, dhe në shtator ka ikur. Ligji për dezertor e përcakton se s’mund ta ketë statusin e veteranit”, ka thënë Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se më 14…