Haxhiu: Me LV-në në pushtet janë rritur pagat e politikanëve
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se rritja që po përmendet nga qeveria Kurti është ajo e çmimeve.
Haxhiu ka thënë se çdo herë në qeveritë e kaluara ka pasur rritje të buxhetit për 24 për qind, ndërsa tani po ndodhë vetëm 8.8 për qind.
Sipas tij, ka gjakderdhje financiare dhe masakrim të buxhetit për nevojat e pushtetarëve.
“Kjo rritje është si pasojë e rritjes së çmimit dhe inkasimit të TVSh-së. Nëse e krahasojmë me buxhetet e kaluara, vitet 2007-2023, ka pasur projeksion të rritjes së buxhetit çdo herë në shumën 24 për qind, dhe kjo është qeveria që këtë rritje të buxhetit e bën me 8.8 për qind dhe lavdërohet me këtë”.
“Përveç gjakderdhjes financiare kemi masakrim të buxhetit për nevoja të pushtetarëve në dëm të qytetarëve”, ka thënë Haxhiu, duke shtuar se me Vetëvendosjen në pushtet janë rritur vetëm pagat e politikanëve, ndërsa ato të punëtorëve nuk kanë ndryshuar.
Ai ka thënë se në vitin 2016, Zyra e Presidentit kishte 70 punësuar, ndërsa me buxhetin e vitit 2025 janë 83 të punësuar, dhe ka dyfishim të buxhetit për paga dhe mëditje.
“Pagat e politikanëve janë rritur me LV-në në pushtet, ato të punëtorëve nuk kanë pësuar ndryshim. Zyra e Presidentit në vitin 2016 kishte 70 të punësuar, në total për paga e mëditje 770 mijë euro, sot me buxhetin e vitit 2025, ka 83 të punësuar me 1.4 milion euro paga e mëditje. Për mallra e shërbime në vitin 2016 ishin një milion e 189 mijë euro, tani në vitin 2 milionë e gjysmë”.
“Zyra e Kryeministrit i ka 609 të punësuar, ndërsa vetëm kabineti i kryeministrit 109 të punësuar. Këta që i kanë kritiku krejt qeveritë e kaluara, i kanë rritë numrat në kabinetin e tyre, deri aty sa që kemi dyfishim të vlerës për paga dhe mëditje në zyre të Kryeministrit. 5 milionë e 314 mijë euro për paga mëditje, 6 milionë e 50 mijë euro për subvencione e transfere, dhe nëse i krahasojmë me pagat e vitit 2014 kur Kryeministër ishte Hashim Thaçi, atëherë ishin 3 milionë e 600 mijë euro, pra dyfish ma pak se tani me Kurtin, e tani së bashku me paga mëditje e subvencion e transfere është 19 milionë. Kjo është gjakderdhje financiare për nevojat e politikanëve, e që se qajnë hallin për qytetarët”, ka thënë Haxhiu në Kuvendin e Kosovës.