Haxhiu: Miratimi i strategjisë për drejtësi tranzicionale, hap i madh dhe pozitiv
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të mërkurën ka organizuar tryezë me donatorë për “Strategjinë për drejtësi tranzicionale”.
Në këtë tryezë, Haxhiu ka thënë se do të ketë një gjithpërfshirje të trajtimit të rasteve për të gjitha krimet e kryera.
Sipas saj përmes kësaj strategjie ndërtohen themelet për një të ardhme të drejtë, solidare dhe të barabartë.
Haxhiu ka thënë se me miratimin e kësaj strategjie Kosovës i është krijuar një kornizë jashtëzakonisht e rëndësishme për trajtimin e shkeljeve masive të të drejtave të njeriut dhe krimeve të luftës.
Më tutje, ajo ka thënë se Kosova ndodhet në një momentum kyç, ku sipas saj duhet të adresohen sfidat dhe mundësit e procesit të drejtësisë tranzicionale.
“Strategjia tranzicionale përshkruan synime ambicioze nga adresimi i mizorive të së kaluarës dhe sigurimi i llogaridhënës tek mbështetja e viktimave dhe forcimi i institucioneve demokratike. Qeveria e ka miratuar strategjinë për drejtësinë tradicionale, që nga marrja e mandatit ballafaqimin më të kaluarën e kemi bërë prioritet”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja Haxhiu ka thënë se ka ende mungesë të stafit për të trajtuar krimet e luftës në Departamentin e Prokurorisë Themelore.
“Përmes ndryshimeve në kodin e procedurës penale, si shtet kemi qenë të detyruar të mundësojmë gjykimin në mungesë, kemi shtuar kapacitetet për departamentin që merret me krimet e luftës, numri është ende i vogël për të shqyrtuar dokumentet për krime lufte”, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa Baki Svirca, udhëheqës i divizionit nga MD-ja, ka thënë se në këtë strategji përfshihen, katër parime të plan zbatimit, e që për këtë plan janë ndarë 15 milionë euro për tri vjet.