Haxhiu, Musliut: Kriminelët inkurajohen nga fjala juaj
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është përplasur verbalisht me deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu për termin “femicid”.
Kjo përplasje ka ndodhur pasi deputetja e LV-së, Arjeta Fejza, ka thënë se në Kosovë ka femicid. Këtë qëndrim të deputetes Fejza e ka kundërshtuar Musliu, duke thënë se “në Kosovë nuk vriten gratë veç pse janë gra”.
“Kujt po i konvenon që me e bë shoqërinë tonë shoqëri femicide. Në Kosovë nuk vriten gratë veç pse janë gra, kuptojeni njëherë e përgjithmonë. Fjala ‘femicid’ do të thotë urrejtje ndaj grave me përmasa të mëdha. Ka dhunë ndaj grave, ka që vriten gra, vriten edhe burra, por nuk guxojmë që në këtë parlament t’ia japim emrin ‘femicid’. Duhet të jemi të kujdesshëm sepse shkruhen raporte mbi këtë se çfarë flasim ne këtu dhe të trajtohemi ne si shoqëri femicide, kjo është e papranueshme”, tha ajo.
Musliu ka thënë se vrasësit duhet dënuar.
Më tutje, ka reaguar deputetja Fejza, duke thënë se “s’do mend se në Kosovë ka femicid dhe ka vrasje të grave sepse janë gra”.
“Në Kosovë gruaja i gëzon të gjitha të drejtat”, i ka thënë Musliu asaj në replikën e radhës.
Në këtë përplasje ka ndërhyrë edhe ministrja Haxhiu, duke e akuzuar Musliun.
“Dhunuesit dhe kriminelët potencialë kur ju dëgjojnë teksa flisni, sigurisht që inkurajohen nga fjala jote”.
“Mendësia jote shpërfaq mendësinë e qeverisjes së PDK-së”, ka thënë Haxhiu, duke i akuzuar qeveritë e mëparshme se s’kishin ndërmarrë masa për këtë fenomen.