Haxhiu në gjykatë: Asnjëherë s’kam parë ndonjë dokument që vërteton se gazi lotsjellës është armë
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e rigjykimit të enjten, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë fazës së administrimit të provave, ka deklaruar se asnjëherë në asnjë dokument nuk e ka parë që gazi lotsjellës është armë.
“Unë asnjëherë të paktën në këtë lëndë, nuk e kam parë ndonjë dokument që vërteton që gazi lotsjellës është armë, nuk ka të bëjë më atë a ka qenë gaz lotsjellës apo jo bombola, a është armë gazi lotsjellës?”, ka thënë ajo.
Në këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, janë duke u akuzuar për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.
Në fillim të kësaj seance, të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen në barrë.
Haxhiu ka theksuar se para 10-12 viteve e ka parë një dokument që vërteton që nuk është armë dhe sipas saj atë mund ta ketë arkiva e gjykatës, për një rast tjetër është që është hedh gaz lotsjellës në një qendër tregtare.
“Unë kam lexuar raport nëse mund ta gjej mund ta ndaj edhe me prokurorin e nderuar, por aty thuhet që gazi lotsjellës nuk është armë dhe ne po akuzohemi për mbajtje në pronësi, kontroll të paautorizuar të armëve dhe kjo është pika thelbësore dhe duhet të sqarohet a është armë apo nuk është armë”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka thënë se duhet të vërtetohet nëse ka qenë apo jo armë gazi lotsjellës, pasi sipas saj kjo është pika thelbësore për çfarë ata po akuzohen.
“E di ligjin e policisë nuk ka nevojë me ma tregu prokurori, por ne po akuzohemi në bazë të Kodit Penal, e di çka thotë Ligji i policisë për çka po flas, e di çka thotë Kodi Penal për çështjen që po flas, prandaj do të kërkoja që meqë e adresuat edhe kërkesën e Gjykatës së Apelit, që të shihet mundësia që të vërtetohet nëse ka qenë apo jo armë duke qenë se kjo është pika thelbësore për të cilën ne akuzohemi”, është shprehur Haxhiu.