Haxhiu: Në momentin që verifikohet se cila hallkë institucionale ka dështuar do të ketë dorëheqje ose shkarkim
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pas mbledhjes së Grupit të ngushtë ndërministror ka theksuar se do të ketë dorëheqje dhe shkarkim në momentin që do të verifikohet cila hallkë institucionale ka dështuar.
Haxhiu në një paraqitje para gazetarëve ka theksuar se rasti i mbrëmshëm, i vrasjes së gruas shtatzënë tregon sa i shprehur është femicidi.
“Me urgjencë kemi mbledhur Grupin ndërministror. Sipas informacioneve nga policia viktima kishte raportuar në korrik për dhunë psiqike dhe fizike dhe prokuroria personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë ajo.
Ministrja Haxhiu ka thënë më tej se sikur Prokuroria të ishte në krye të detyrës rasti mund të ishte parandaluar.
Ajo ka theksuar se informacionet tjera nuk mund t’i ndajë për shkak të hetimeve.
“Secili prej institucioneve janë të obliguara dhe kanë marr përgjegjësi të verifikojnë secilin veprim institucional prej momentit kur është raportuar dhuna prej viktimës”, tha ajo, ndërsa njoftoi se në takimin e grupit ndërministror nuk ishin të pranishëm as përfaqësuesi nga Prokuroria dhe Gjyqësori.
“Do të duhej të kishin më shumë ndërgjegje edhe morale, njerëzore e profesionale. Nuk kam koment për veprimet e tyre. Në momentin që do të verifikohet dështimi institucional, hallka që dështuar – personi përgjegjës do të jap dorëheqje. Ju garantoj nëse shohim që ka dështu dikush do të ketë dorëheqje e shkarkim, por keni parasysh dorëheqje e shkarkime janë kërkuar edhe në rastet e kaluara kur kanë dështuar prokuroria por asnjë dorëheqje, asnjë shkarkim dhe këto raste, mosveprimet, neglizhenca po i inkurajon vrasësit, kriminelët”, ka thënë ministrja Haxhiu.