Haxhiu në Shqipëri: Vettingu në sistemin e drejtësisë, prioritet i qeverisë Kurti
Ministrja e Drejtësisë (MD), Albulena Haxhiu, në panelin e organizuar nga “Tirana Connectivity Forum 2021”, ka prezantuar prioritetet e kësaj ministrie drejt realizimit të reformës së thellë në sistemin e drejtësisë që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës.
Me këtë rast, ministrja Haxhiu ka qartësuar se fokusi i Ministrisë së Drejtësisë është i përqendruar në katër prioritete. “Reforma në drejtësi përmes implementimit të strategjisë për sundimin e ligjit dhe vettingun në sistemin e drejtësisë; lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit; adresimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave, dhunës në baza gjinore si fenomene që e dëmtojnë zhvillimin e mbarë shoqërorë; adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në përputhje me zotimet tona, ne jemi duke punuar për vettingun në sistemin e drejtësisë. Në këtë drejtim ne kemi përfunduar Koncept-dokumentin për zhvillimin e procesit të vettingut në sistemin gjyqësor dhe prokurorial i cili do të miratohet nga Qeveria javës që vjen dhe që i hapë rrugën ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë Haxhiu, duke shtuar se vettingu në sistemin e drejtësisë është një ndër prioritetet kryesore të ministrisë që drejton. “Vettingu si një nga top prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, është një proces i një rëndësie të jashtëzakonshme për Kosovën, për të siguruar integritetin dhe profesionalizimin në institucionet e drejtësisë, e për ta kthyer besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, është shprehur Haxhiu.
Më tutje, ajo shpjeguar ndërlidhjen në mes të rendit juridik, forcimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik.
“Ne kemi miratuar gjithashtu Ligjin për Gjykatën Komerciale, ligj ky i cili do të rrisë sigurinë juridike për bizneset vendore dhe investimet e huaja. Kjo Gjykatë do t’i shërbejë komunitetit të biznesit qoftë investimeve vendase apo të huaja si një adresë e sigurt dhe efikase për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në aktivitetet biznesore”, ka thënë Haxhiu.