Haxhiu në takim me ambasadorin gjerman: Vetingu mbetet prioritet i imi
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, me të cilin ka diskutuar për prioritetet afatshkurtra dhe afatgjate të Ministrisë së Drejtësisë.
Gjatë këtij takimi, Haxhiu e ka falënderuar ambasadorin Heldt për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit gjerman, duke potencuar se prioritet i saj është vetingu në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve, proces i cili do të bëhet së bashku me ekspertë të fushës në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin e Kosovës, shoqërinë civile dhe partnerët zhvillimor siç është Gjermania.
Një prioritet tjetër, Haxhiu ka thënë se është edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se do të ketë Projektligj për pasurinë e pajustifikueshme dhe riprocedim të ligjeve që e adresojnë këtë fushë.
Ajo ndër tjerash ka përmendur se gjatë mandatit të saj do të procedojë me hartimin e Strategjisë sektoriale të sektorit të drejtësisë që buron nga procesi i rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, ndërkohë pas miratimit të kësaj strategjie, Ministria e Drejtësisë do të fokusohet në hartimin e një plani zhvillimor katërvjeçar të ministrisë.
Në anën tjetër, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, pasi ka shprehur urimet për detyrën e re të ministres Haxhiu, ka thënë se sundimit i rendit dhe ligjit ku përfshihet Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme janë fushat kryesore të fokusit të Gjermanisë sa i për ketë fushës së sundimit të ligjit në Kosovë.
Heldt ka potencuar nevojën e vazhdimësisë institucionale me theks të veçantë në zbatimin e legjislacionit pa përjashtuar ndryshimet që mund të jenë të nevojshme.
Në këtë takim, ambasadori ia ka dor1ëzuar ministres Haxhiu një letër nga Unioni Ndërkombëtar i Noterëve dhe nga Oda Federale Gjermane e Noterisë.
Me këtë rast, Heldt, ka rishprehur shqetësimin e tij të paraqitur në fund të vitit të kaluar në lidhje me këtë proces teksa ka potencuar edhe nevojën për noterë të ri.