Haxhiu në Zagreb flet për reformat në sistemin e drejtësisë
Në Zagreb të Kroacisë po mbahet konferenca “E ardhmja e Zgjerimit të Bashkimit Evropian: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë e Kroacisë në bashkëpunim Komisionin Evropian.
E pranishme në këtë konferencë ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila para ministrave të Ballkanit Perëndimor si dhe atyre nga Ukraina, Turqia, Gjeorgjia dhe Moldova, përfaqësuesve nga BE-ja, ka rikonfirmuar përkushtimin e Qeverisë e Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë për një gjyqësor të pavarur, të paanshëm, efikas dhe profesional.
“Theksova se në rrugën reformuese, Republika e Kosovës tashmë ka filluar të shënojë rezultate në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, reformën penale dhe civile, si dhe rezultate konkrete në adresimin e të drejtave të njeriut. Në veçanti, adresova faktin se përpjekjet tona synojnë garantimin e pavarësisë, llogaridhënies, integritetit, cilësisë dhe efikasitetit të sektorit të drejtësisë në vendin tonë”, ka thënë Haxhiu.
Ajo në këtë konferencë ka përmendur të gjitha reformat që ka ndërmarrë qeveria që nga fillimi i mandatit. “E progresin e arritur me theks ato që ndërlidhen me vetingun në sistemin e drejtësisë, pakon ligjore kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin, adresimin e krimeve të luftës dhe veprimet që kemi ndërmarrë me qëllim të adresimit të dhunës në familje dhe me bazë gjinore”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo i ka njoftuar të pranishmit se Ministria e Drejtësisë ka pasur gjithsej 35 masa dhe detyrime që dalin nga PKZMSA dhe se nga këto detyrime, 28 masa janë zbatuar plotësisht dhe se për 7 detyrimet e tjera, po punohet intensivisht drejt finalizimit dhe realizimit të tyre.