Haxhiu nënshkruan kontratën për renovimin e objektit të IML-së
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se ka nënshkruar kontratën në vlerë mbi 800 mijë euro për renovimin e objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).
Haxhiu ka shkruar në “Facebook” se ky projekt synon standard më të larta.
“Sot nënshkrova kontratën për renovimin e objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, me një vlerë prej 814,229.72 euro. Ky investim po bëhet për herë të parë dhe do të mundësojë transformimin e plotë të hapësirës së brendshme, duke përfshirë renovimin e laboratorëve, sallave të autopsisë, kulmit dhe zyrave të punës. Përmes këtij projekti, po ndërtojmë një institut që jo vetëm që përmbush standardet më të larta teknike dhe funksionale, por edhe rrit sigurinë dhe efikasitetin e shërbimeve për qytetarët. Ky është një hap konkret drejt përmirësimit të infrastrukturës mjeko-ligjore, duke garantuar shërbime moderne dhe cilësore në të gjitha rastet”, ka shkruar Haxhiu.
Në IML ka pasur zjarre disa herë, e skandal si ai i zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit.