Haxhiu: Nesër finalizohet drafti i parë i koncept-dokumentit për vettingun
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka bërë me dije se nesër (e martë) do të finalizohet drafti i parë i koncept-dokumentit për vettingun në sistemin e drejtësisë.
Haxhiu ka thënë se reforma më e madhe në sistemin e drejtësisë do të jetë vettingu.
“Më 15 qershor, finalizohet drafti i parë i koncept dokumentit për vettingun në sistemin e drejtësisë. Nuk është në rregull të kemi një ligj me 3-4 ndryshime. Kjo duhet të adresohet sa më parë që të kemi ligje të integruara”, ka deklaruar ajo.
Përndryshe, Haxhiu ka thënë se ka ftuar subjektet opozitare në takime të veçanta për të diskutuar për vettingun.
“Reforma më e madhe në sistemin e drejtësisë do të jetë vettingu dhe është i rëndësishëm konsensusi brenda Kuvendit. Unë i kam ftuar subjektet opozitare për takime të veçanta. Edhe roli i grupit parlamentar të LV-së është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim. Pastaj do të takoj edhe grupet parlamentare që përfaqësojnë komunitetin joshumicë”, ka thënë Haxhiu.
Përndryshe në vazhdimin e seancës së sotme do të diskutohet edhe për situatën ekonomike si pasojë e pandemisë Covid-19 dhe për pika tjera.