Haxhiu: Një vit më parë dëshmuam se mund të qeveriset ndershëm
Ish- ministrja e Drejtësisë nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se një vit më parë qytetarët kanë votuar për ndryshime rrënjësore.
Ajo ka thënë se më 6 tetor të vitit 2019, qytetarët i dhanë fund keqqeverisjes, ku Vetëvendosje kishte dalë partia e parë.
“Sot janë bërë 1 vjet nga zgjedhjet e 6 tetorit. Vullneti i qytetarëve ishte i qartë. Më 6 tetor qytetarët votuan për t’i dhënë fund epokës së keqqeverisjes dhe korrupsionit. E vjetra zhvatëse kishte rënë. Qytetarët votuan lëvizjen si subjekti i parë në vend, ku Albin Kurti mori vota më së shumti. Në këto zgjedhje Lëvizja doli me 29 deputetë ku të gjitha gratë deputet hynë në Kuvend”, ka thënë Haxhiu në një konferencë për medie.
Ajo ka theksuar se gjatë 4 muajve në qeveri kanë dëshmuar se në Kosovë është e mundur të qeveriset ndershëm. “Ishte qeveria që ishte në fokus për të mirën e përbashkët”, ka thënë Haxhiu, duke shtuar se nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr vija të kuqe për subjektet që kemi deklaruar se kemi vija të kuqe. Këtu është PDK-ja. Ju e dini që në vazhdimësi kemi thënë se nuk bëjmë koalicion me PDK-në. Në sondazhet e fundit kemi mbështetjen e qytetarëve mbi 50 për qind”, ka thënë Haxhiu.