Haxhiu: Nuk heqim dorë nga vettingu
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës nuk do të heq dorë nga procesi i vettingut, pavarësisht shqetësimeve të BE-së.
Ajo ka thënë se është e gatshme të diskutojë me zyrtarët e BE-së të gjitha shqetësimet që ata kanë rreth këtij procesi.
Sipas saj, ky proces është i domosdoshëm për Kosovën.
“Është nevojë urgjente, është domosdoshmëri që të punojmë në këtë drejtim dhe do të angazhohemi çdo ditë pavarësisht shqetësimeve që kanë. Natyrisht që jam e interesuar që shqetësimet t’i adresoj, qoftë me zyrën e BE-së apo edhe përfaqësues të tjerë në BE për çka kemi takuar nivelet më të larta. Në përgjithësi ka një dakordim që të ulemi dhe të flasim për hapat që duhet të ndjekim. Pra, nuk ka një rezistencë dhe një kundërshtim të këtij procesi por duket që ka nevojë që sërish të takohemi më tepër dhe të planifikojmë në detaje se cila është rruga që duhet ta ndjekim, por ne nuk heqim dorë nga çështja e vettingut”, ka deklaruar Haxhiu në një intervistë për KosovaPress.