Haxhiu nuk i kalon inati me Prokurorinë Speciale: Uroj qy ky status nuk do të prodhojë edhe një autorizim për marrje në pyetje
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar për ndryshimet që u miratuan në mbledhjen e Qeverisë që mundësojnë që pronat e kryeterroristit Milan Radojiçiq t’i kalojnë në shfrytëzim dhe menaxhim institucioneve të sigurisë në vend.
Përmes këtij postimi, Haxhiu ka ironizuar me Prokurorinë Speciale, ku ka thënë se uron “që ky status nuk do të prodhojë edhe një autorizim nga PSRK për marrje në pyetje”, shkruan Reporteri.net.
Haxhiu është intervistuar dy ditë nga Prokuroria Speciale, pas deklaratës së saj të dhënë në RTV Dukagjini lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Facebook, lidhur arratisjet që kanë ndodhë nga burgjet e Kosovës.
Pronat e sekuestruara të kryeterroristit Milan Radojiçiq do t’u kalojnë në menaxhim dhe shfrytëzim institucioneve të sigurisë, pas ndryshim/plotësimeve që do të bëhen në Udhëzimin Administrativ. Këto prona përfshijnë vilën e tij buzë Liqenit të Ujmanit, Restorantin “Grey”, zyrën e tij dhe “penthouse” që gjendet në të njëjtën ndërtesë si restoranti. Vlera totale e tyre vlerësohet të jetë mbi 3 milionë euro. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pronat gjenden në pika strategjike të territorit të Kosovës dhe se menaxhimi i tyre enga institucionet e sigurisë është i rëndësisë nacionale.