Haxhiu: Pakoja e ligjeve pritet të dërgohet në Kuvend brenda shtatorit
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka takuar të hënën krerët e institucioneve të drejtësisë lidhur me reformën në drejtësi, në të cilin takim prezent kanë qenë përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor, Gjykatës Supreme dhe përfaqësues ndërkombëtarë.
Ministria e Drejtësisë, ka njoftuar se përkundër ftesës për përfaqësuesit e sistemit prokurorial, të njëjtit kanë munguar në takim.
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu, ka bërë me dije se pakoja e ligjeve që rrjedhë nga Deklarata e përbashkët e zotimeve në mes të institucioneve të drejtësisë pritet të dërgohet në Kuvend brenda muajit shtator në mënyrë që të përmbyllet reforma në drejtësi.
Më tutje, ministrja Haxhiu ka kërkuar që në afat sa më të shpejtë, akterët e reformës në drejtësi, t’i përcjellin komentet e fundit mbi aktet e finalizuara në mënyrë që të njëjtat të diskutohen dhe adresohen në punëtorinë e fundit e cila planifikohet të mbahet në fillim të muajit shtator. “Edhe njëherë shprehu vullnetin tim si ministre e Drejtësisë për ta adresuar sa më shpejtë dhe profesionalisht Reformën në Drejtësi”, ka thënë ministrja Haxhiu.
Gjatë diskutimit, përfaqësues të sistemit gjyqësor dhe partnerët ndërkombëtarë, kanë shprehur mirënjohjen për arritjet e deritanishme në këtë proces të rëndësishëm reformues, gjithashtu duke u shprehur të gatshëm për kontributin dhe mbështetjen tutje në finalizimin e akteve përkatëse normative.
Në fund ministrja Haxhiu, ka thënë se në këtë proces ka qenë i rëndësishëm angazhimi i përbashkët për përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga Deklarata e përbashkët e zotimeve për çfarë i ka falënderuar të gjithë akterët kontribuues, ndërsa ka shprehur indinjatën e saj për mungesën e vullnetit të KPK-së për të realizuar reformën në drejtësi.