Haxhiu paralajmëron vizitë në Hagë: Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar një vizitë në Hagë për t’i takuar ish-drejtuesit e UÇK-së të cilët gjenden në paraburgim në Gjykatën Speciale.
Haxhiu ka thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe se kundërshtimet politike të pas luftës nuk e pengojnë që ta realizojë këtë vizitë.
“Në fund të këtij muaji unë bashkë me një anëtar të Komisionit për Legjislacion, nënkryetaren Saranda Bogujevci kemi planifikuar një vizitë në Hagë. Si Ministri e Drejtësisë e kemi obligim që të bëjmë kërkesa për të gjithë. Sa i përket luftës së UÇK-së kemi një qëndrim: lufta ka qenë luftë e drejtë për çlirim. Problemet e pas luftës politike me ta nuk më bëjnë mua që mos të kërkoj një takim me ta”, ka thënë Haxhiu në një konferencë për media.
Më tutje, Haxhiu ka komentuar pjesëmarrjen e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë për pjesëmarrjen në takimin e Këshillit të Sigurisë së Serbisë. “Gjyqtarët duhet të sillen me integritetin më të lartë moral e profesional. Çfarë do takimi e cenon këtë integritet. Për veprimet apo shkeljet apo dyshimet për gjyqtarët përgjegjësia bie mbi Këshillin Gjyqësor të Kosovës”, ka thënë ajo.
Në këtë konferencë, Haxhiu ka folur edhe për vettingun në sistemin e drejtësisë dhe mosvotimin e Kodit Civil, për të cilën ka thënë se do ta dërgojnë sërish në Kuvend.