Haxhiu: Partneriteti ynë me BE-në mbetet mjaft i rëndësishëm në arritjen e objektivave tona reformuese
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në takimin e dymbëdhjetë të Komitetit Drejtues të Programit të BE-së për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë – EUKOJUST.
Ajo ka falënderuar përfaqësuesit e BE-së dhe EUKOJUST për bashkëpunimin e dobishëm trevjeçar dhe për mbështetjen e tyre në reformimin e brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe të tërë sistemit të drejtësisë për këto vjet.
“Në veçanti programi i EUKOJUST luajti një rol të rëndësishëm për mbështetjen profesionale në disa prej nismave tona të rëndësishme reformuese në fushën civile dhe penale, por edhe në atë administrative. Rrugëtimi ynë reformues do të vazhdojë tutje dhe partneriteti ynë me BE-në dhe programet përkatëse mbetet mjaft i rëndësishëm në arritjen e objektivave tona reformuese për qasje më të lehtë në drejtësi, llogaridhënie e transparencë në sistem”, ka theksuar Haxhiu.