Haxhiu: Pas defilimeve të VV-së, po shohim tërheqje nga insistimi për hapjen e urës së Ibrit
Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së, kritikoi qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje për hapjen e urës së Ibrit, duke theksuar se retorika populiste e elektorale e partisë ka shkaktuar më shumë dëm sesa dobi në çështjen e hapjes së urës së Ibrit.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka shprehur kritika ndaj qasjes së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çështjen e hapjes së urës së Ibrit, duke theksuar se retorika populiste e partisë ka shkaktuar më shumë dëm sesa përfitim.
Sipas Haxhiut, pas deklarimeve të ambasadorit amerikan dhe KFOR-it, ka një tërheqje nga kryeministri Albin Kurti në insistimin e tij dhe partisë së tij për hapjen e urës.
Ai ka ritheksuar se nëse ura e Ibrit nuk hapet për qarkullimin e automjeteve, situata mund të kthehet në nivelet e tensionuara të viteve 1999-2000, duke rritur prezencën e KFOR-it në veri të vendit.
“Kur këto informacione vijnë prej ambasadorit amerikan dhe prej komandantit të KFOR-it, unë besoj që janë shumë të informuar sesa ne për nivelin e rrezikshmërisë, dhe kjo duhet të merret seriozisht. Kur për çështjen e sigurisë së ushtarëve amerikanë flet ambasadori Hovenier, dhe kjo çështje duhet te merret seriozisht. Unë besoj që edhe Kurti informacione të tilla i ka dhe i ka të ndara me ambasadorin amerikan. Këto ditë kemi parë tërheqje të insistimit të tij, ne e kemi parë disa defilime populiste të ministrave e të deputetëve të VV-së, që më shumë kanë bërë dëm. Kam thënë që pas kësaj zhurmë, nëse nuk hapet ura për qarkullim të automjeteve, situata kthehet në vitin 1999-2000. Sepse kemi një prezencë të shtuar të KFOR-it dhe mendoj që po të kishte një koordinim më të mirë dhe t’i bindin KFOR-in e partnerët se niveli i sigurisë po shkon duke u përmirësuar, atëherë besoj që hapja e Urës do të ndodhë spontanisht ka këto pompozitet, pa këto lojërat politike…
Ka mundur gradualisht të rregullohet… Kjo çështje nuk duhej të shikohej në aspektin elektoral, por të shikohet në aspektin vendosjes së sovranitetit dhe lëvizjes së lirë”, ka thënë Haxhiu në “FIVE” të Dukagjinit.