Haxhiu: Për asnjë rast të dhunës në familje nuk është shqiptuar dënimi maksimal

07 nëntor 2024 | 14:12

Programi Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave duhet të bëhet pjesë e integruar e dënimeve për kryesit e këtyre veprave penale. Kështu është thënë në tryezën diskutuese “Thyerja e ciklit të dhunës: Integrimi i programeve për trajtimin e kryerësve të dhunës në familje si pjesë e dënimit”, e cila u organizua nga Zyra e Këshillit të Evropës në kuadër të projektit “Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është shprehur optimiste se në të ardhmen gratë në Kosovë do të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme, derisa theksoi se institucionet përgjegjëse duhet tu përgjigjen me profesionalizëm rasteve të dhunës në familje.

Haxhiu ka theksuar se deri më tani në asnjë rast të dhunës në familje nuk është shqiptuar dënimi maksimal që parashihet në Kodin Penal e që është 3 vjet.

E para e drejtësisë në vend, Albulena Haxhiu, ka thënë se Programi Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave synon të transformojë mendësinë dhe sjelljet abuzive të kryesve si dhe t’i vetëdijesojnë kryesit e dhunës për pasojat e rënda të veprimeve të tyre.

Ajo ka thënë se për ofrimin e këtij programi janë trajnuar 15 profesionistë, derisa theksoi se pilot-projekti është implementuar në Qendrën Korrektuese në Dubravë dhe pjesë e trajnim kanë qenë 20 persona që kanë kryer veprën penale dhunë në familje.

Ndërsa zëvendësshefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Tankut Soykan është shprehur i kënaqur me punën që ministria e Drejtësisë ka bërë për hartimin e Programit Kombëtar për Trajtimin e Kryesve të Dhunës ndaj Grave.

Soykan është shprehur se kryesit e dhunës në Kosovë dalin nga burgu me të njëjtën mentalitet, prandaj ai e sheh të nevojshme që programe të tilla të jenë pjesë e integruar si pjesë e shqiptimit të dënimeve.

Në nëntor të vitit 2023, Ministria e Drejtësisë ka lansuar “Programin Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave”, i cili është pilotuar në Qendrën Korrektuese në Dubravë për 6 muaj. /KP

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është për vizitë në Hungari…