Haxhiu për blerjen e raketave ‘Javelin’: Negocimin dhe kontraktimin e armatimit nga ShBA-ja e ka bërë Kadri Veseli
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka reaguar pas pranimit të kërkesës për blerjen e raketave antitank, “Javelin”.
Ai ka thënë se e vërteta e blerjes së armatimit nga ShBA-ja, negocimin dhe kontraktimin e ka bërë ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në vitin 2018.
Haxhiu ka thënë se një pjesë e këtij armatimi, mjetet e blinduara “Humvee”, kishin arritur në Kosovë nga ShBA-ja më 25 korrik të vitit 2020.
“Pse ka pasur vonesa për pjesën tjetër të armatimit duhet te japin llogaridhënie qeveritarë e sotëm. Sot, kur dezertorët dhe sabotuesit e luftës çlirimtare flasin për luftë e kupton hipokrizinë e këtij pushteti, që abuzojnë me sigurinë e vendit për populizëm elektoral”.
“Krahasuar me fuqinë ushtarake të Serbisë, Kosova vendi ynë do të jetë e sigurt vetëm me anëtarësimin në NATO dhe aleancë të përhershme me ShBA dhe BE”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Ai ka thënë se 10 vjet më parë, Vetëvendosje dhe LDK-ja nuk kanë votuar ndryshimet kushtetuese për shndërrimin e FSK-së në ushtri, ku sipas tij, sikur atëherë të votohej transforimi i FSK-së në ushtri, sot Kosova do të ishte pjesë e NATO-s.